venerdì 9 luglio 2010

Projektligji ‘shtupë’ mbi informacionin në Itali.


nga Brunilda Ternova

Projekt-Ligji N. 1611 mbi Survejimet - ose siç njihet në zhargon i ashtëquajturi ‘ligji shtupë i informacionit’ - është duke bërë bujë të madhe aktualisht në Itali, pasi bie ndesh me lirinë e shtypit dhe sidomos  me vetë procedurat gjyqësore. I propozuar nga qeveria aktuale dhe i aprovuar me 164 vota në favor e 25 kundra nga senati italian më 10 qershor 2010, amendamenti ende duhet të miratohet nga parlamenti dhe të nënshkruhet nga Presidenti  i Italisë për t'u bërë ligj. Amendamenti ka të bëje në linja të përgjithshme me dy aspekte themelore: me atë të respektimit të jetës private dhe me atë të së drejtës së qytetarit për tu informuar. Duke imponuar një kufizim jo vetëm të survejimeve pa dijeninë e personave të dyshuar por edhe duke penguar gazetarët dhe publicistët që ti botojnë ato përpara seancave paraprake proçesuale, pengon gjithashtu bërjen publike të këtyre fakteve për 2-3 vjet. Me fjalë të tjera kemi të bëjme me një çensurë mbi faktet. Pra kufizimet e reja të këtij ligji nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me lirinë e mendimit dhe të shprehjes por kanë të bëjnë më shumë me njohjen dhe bërjen publike të fakteve. Por pa njohjen e fakteve nuk mund të krijohen mendime dhe opinione mbi një argument, mbi një ngjarje të caktuar ose personazh publik e si rrjedhojë nuk do të egzistojë mundësia për të patur një opinion dhe për ta shprehur atë lirisht!

Kufizimet mbi Survejimet
Italia deri më sot ka patur një legjislacion shumë progresiv në lidhje me survejimet por kufizimet e këtij ligji kanë për të krijuar shumë vështirsi për hetimet duke krijuar jo pak probleme vet strukturave shtetërore hetimore. Aktualisht për të vendosur nën survejim numrin e telefonit të një individi (ose grupi individësh) të dyshimtë, autorizimi merret nga një gjykates. Sipas rregullave të reja mund të survejohen vetëm ata individë mbi të cilët rëndojnë fakte të rëndësishme faji dhe vetëm për vepra të caktuara kriminale: mafje, terrorizëm, rrëmbim personi, stalking si dhe ato qe janë të dënueshme me më shumë se 5 vjet heqje lirie.
Legjislacioni i sotëm mundëson për arsye hetimore vendosjen e mikrofonave përgjues në ambiente publike dhe private, deri në mbarim të hetimeve paraprake të cilat mund të zgjasin edhe me vite. Sipas projekt-ligjit të ri, vendosja e mikrofonave përgjues në shtëpitë apo makinat e të dyshuarve - të cilët ndërkohë mund të jenë duke kryer akte të ndryshme kriminale - do të lejohen maksimalisht vetëm tre ditë me mundësi rinovimi edhe për tre ditë të tjera
Përsa i përket kohëzgjatjes së survejimeve legjislacioni aktual mundëson vendosjen nën kontroll të telefonave përgjat gjith periudhës së nevojshme të hetimeve paraprake. Normativa e re parashikon një kohëzgjatje për 75 ditë, dhe vetëm nëse prokurori ka arsye të motivuara mund ti kërkojë gjykatësit për hetimet paraprake një zgjatje çdo tre ditë. Në rastin e shkelejve më të rënda penale - që kanë të bëjne me organizatat mafjose dhe terrorizmin - mund të bëhet një rinovim 40 ditor, plus një tjetër shtyrje 20 ditore. Sipas Alberto Cisterna, zëvendës Prokurori i Drejtorisë Kombëtare të Anti-Mafias, ligji i ri do vëjë në pikëpyetje serioze marrëveshjet ndërkombëtare që Italia ka nënshkruar në 1991 në Palermo kundër kriminalitetit transkombëtar. Në një intervistë të dhënë për gazetën e pavarur italiane Fakti i Përditshëm më 18 qershor 2010 ai shpehet: “Projekt-ligji i miratuar nga Senati ka fshirë konceptin e krimit të organizuar. Ne po përballemi me sulmin më të fortë që kjo reformë po i ben hetimeve kundër bizneseve te pista dhe klientelizmit të politikës së keqe, pasi trajton në të njëjtën mënyre qoftë zyrtarin shtetëror të korruptuar ashtu edhe bandat e kriminelëve që realizojnë sinergji të sofistikuara dhe të thella me poltikën. Në të dyja rastet do të nevojiten prova të rënda kriminale për të kryer survejimet ose për të përftuar prospektet.
Aktualisht, kushdo mund të incizojë një bisedë në mënyrë të fshehtë, ashtu si edhe bëjnë shpesh emisjonet investiguese italiane si ‘Striscia la notizia’ dhe ‘Le Iene’ me qëllim demaskimin e dallavereve dhe mashtrimeve, për të informuar publikun e gjerë. Me projekt-ligjin e ri këto incizime mund ti kryejnë vetëm gazetarët profesionistë dhe publicistë. Për ata që nuk hyjnë në kategoritë e lartëpërmendura dënimi është burgosja nga 6 muaj deri në 4 vjet. Por pyetja që i lind natyrshëm qytetarit të thjesht italian është: Ku do kërkojë drejtësi nëse nuk mund të incizojë një nënpunës publik shtetëror kur ky i fundit - duke abuzuar me vëndin e tij të punes - më kërkon në këmbim rryshfete? Pamundesia për qytetarin e zakonshem që të regjistrojë biseda të tilla shkurajon në këtë mënyrë përgjegjsinë qytetare për një shoqëri civile të përgjegjshme të bazuar në të drejtat e lirisë dhe barazisë; koncepte këto që në rast të aprovimit të këtij ligji do funksionojnë vetëm në letër.
Sanksionet
Projekt-Ligji mbart në vetvete kufizime për gazetarët italian duke mos lejuar publikimin e akteve hetimore, në të kundërt, gazetarët rrezikojnë përveç gjobës prej 20 mijë euro edhe një dënim me burgim deri në 30 ditë. Ligji parashikon që botimi i këtyre akteve mund të kryhet vetëm pas mbarimit të hetimeve, të cilat, - nëse konsiderojmë burokracinë e gjate dhe paradoksale që mbretëron në Itali - mund të zgjasin edhe vite me radhë. As botuesit e mediave nuk i shpëtojnë këtyre sanksioneve. Konkretisht nëse një gazetë publikon akte që janë të ndaluara – sidomos nëse janë survejime – botuesi dënohet më një gjobë deri në 450.000 euro. Kjo do i detyrojë botuesit të kontrollojnë drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi përmbajtjen e materjaleve të botuara në gazetat e tyre duke ushtruar kështu edhe një presion mbi gazetarët - gjë që bie ndesh me etikën deontologjike profesionale.

Reagimet
Projekt-ligji ka krijuar shumë indinjatë në popull dhe ka ngritur një vale protestash të ashpra nga gazetarët, redaktorët, botuesit, gjykatësit dhe ekspertët ligjorë, të cilët vënë në dukje se ky ligj do të vështirsojë shumë hetimet mbi kriminalitetin e organizuar dhe mbi korrupsionin, dhe praktikisht do pamundesojë publikimin e lajmeve mbi këto argumente. Kritika të forta nuk kanë munguar edhe nga Shoqata Kombëtare e Magjistraturës (ita. Associazione Nazionale Magistrati) dhe nga Presidenti i saj Luca Palamara. "Projekt-Ligji mbi survejimet do të gjunjëzojë aktivitetin e hetimeve të prokurorise së shtetit dhe të policisë, përveçse do të kufizojë lirine e informacionit; shfuqizimi i këtij mjeti hetues do të thotë në mënyrë të pashmangshme garanci për mos-ndëshkimin e kriminelëve."- shprehet Palamara.

Reagimet e Federatës Kombëtare të Shtypit Italian (F.K.Sh.I.) e gjykojnë këtë ligj si një agresion të papranueshëm duke mobilizuar jo vetem në Itali por edhe jashtë saj gazetarë, shoqata, sindakata dhe lëvizje të ndryshme të shoqërise civile me qëllim sensibilizimin ndërkombëtar.
Gjatë manifestimit të zhvilluar më 1 korrik në sheshin Navona në Romë, Segretari i F.K.Sh.I. Franco Siddi, u shpreh për një rezistencë qytetare të shekullit të 21: “… mosbindje qytetare pasi ligjet e gabuara nuk duhen respektuar. Në të kundërt dhunohen ligjet mbi shtypin e lirë dhe mbi Kushtetutën”.

Presidenti i F.K.Sh.I., Roberto Natale do të deklarojë në uebsitin e federatës: “Ne nuk jemi korporativë dhe e kemi sqaruar me fakte negativitetin e këtij projekt-ligji. Nëse ky projekt-ligj aprovohet atëhere ne si Federatë do të apelojmë në Gjykatën Evropiane. […] Një ditë ne heshtje – vazhdon Natale – për të dëshmuar dhe denoncuar situatën e rëndë që po krijohet në vënd nga ky projekt-ligj. Një heshtje kjo, që do të kthehet në heshtje absolute për shumë lajme, nëse ky ligj aprovohet”. Në këtë mënyre presidenti i F.K.Sh.I. ka konfirmuar grevën e përgjithshme të gazetarëve dhe të botuesve italian që do zhvillohet më 9 korrik për të protestuar kundër ligjit famëkeq.

Reagimet e ashpra kanë kaluar kufijtë e Italisë e kanë mbërritur edhe nga Departamenti Amerikan i Drejtesise, nga OSBE- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe nga Këshilli i Europës.
Konkretisht Departamenti Amerikan i Drejtesise është shprehur me anë të zëdhënësit të vet Lanny Bauer, i cili - gjatë një vizite në Itali për të përkujtuar vrasjet e gjykatësve Borsellino e Falcone nga ana e mafjes -  do të vinte theksin tek rëndësia esenciale që kanë përgjimet gjatë hetimeve.

Ndërsa OSBE duke e ftuar klasën poiltike italiane të heqë dorë nga aprovimi i këtij Projekt-Ligji ose ta modifikojë atë sipas standarteve europjane, shprehej më 15 qershor me anë të Përfaqësueses për Lirinë e Mediave znj. Dunja Mijatovic: “Jam e shqetësuar që Senati miratoi një projekt-ligj që mund të pengojë seriozisht gazetarinë investiguese në Itali duke shënuar një trend drejt kriminalizimit të punës gazetareske. Gazetarët duhet të jenë të lirë të publikojnë të gjitha rastet që janë të interesit publik duke u venë në një pozitë të atillë që të kryejnë punën e tyre investiguese me përgjegjshmëri.” E menjëhershme kundër-përgjigja e Minsitrisë së Punëve të Jashtëme Italiane me anë të zëdhënsit të saj, Maurizio Massari, duke e gjykuar "të papërshtatshme" deklaratën e OSBE në lidhje me këtë masë legjislative ndërkohe kur proçesi parlamentar ndodhet akoma në zhvillim e sipër.
Pozicioni i Këshillit Europjan dhe i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (ang. GRECO: Group of States against Corruption), në të cilën Italia ka aderuar më 30 qershor 2007, është po aq kritkues. Slloveni Drago Kos i cili është president i GRECO që nga viti 2002, në një intervistë të dhënë në 30 qershor 2010 për gazetën italiane Fakti i Përditshëm do të vinte theksin tek balancimi i principeve themelore të cilat janë të vlefshme për të gjith. “Ky projekt-ligj do të krijojë vështirësi të rënda për luftën kundër krimit të organizuar – do të shprehej Kos. - Në njërën anë egziston e drejta e mbrojtjes së privatësisë dhe nga ana tjetër, egziston e drejta themelore e shtetasve italian për të jetuar në një realitet të sigurt dhe të informuar. Këto parime duhet të jenë të balancuara. Nuk mund të mbrohet një e drejtë themelore duke shkelur një tjeter të drejtë themelore e ndonjëherë edhe më të rëndësishme, të tilla siç janë liria e kronikës gazetareske dhe e shprehjes. Jam i sigurt se nëse ligji do të aprovohet, dikush në Itali ka për të ngritur çështjen e kushtetutshmërisë së tij dhe gjykatësit tuaj kushtetues, do të përballojnë një detyrë shumë të vështirë”.

E drejta për tu informuar

Ndalimi që u bëhet mediave për të botuar survejimet që i përkasin interesit publik shkel Nenin 21 të Kushtetutës Italiane - që mbron të drejtën dhe detyrën e kronikës gazetareske - gjithashtu shkel edhe ligjin ndërkombëtar. Që të kuptojmë rëndësinë e madhe të gazetarisë investiguese, le të kujtojmë këtu dy raste: atë të ish presidentit të Sh.B.A. Nikson - i cili për skandalin Watergate u detyrua të japë dorëheqjen falë botimit të fakteve nga ana e shtypit të lirë amerikan; dhe vendimin gjyqësor  ‘Sunday Times kundër Britanisë së Madhe’ (26 prill 1979) ku Gjykata Europjane e të Drejtave të Njeriut njohu rolin themelor të mediave të komunikimit lidhur me të drejtën për të informuar publikun mbi proçedimet gjyqsore kundër eksponentëve të rëndësishëm të politikës.
Shumë eksponentë me peshë të Italisë janë të pakënaqur nga publikimet që dalin nëpër faqet e para të gazetave që hedhin dritë mbi çështjet dhe bizneset e tyre - shpesh të dyshimta dhe ilegale. Kush merret me politikë dhe nuk ka asgjë për të fshehur, gjithashtu nuk ka frikë as nga verifikimet e vazhdueshme të medias, pasi në demokraci është themelore sistemi i kontrollit dhe balancimi i ushtrimit të pushtetit. Sjelljet skandaloze dhe penalisht të dënueshme të shumë figurave publike, vetëm një shtyp i lirë mund ti zbulojë, ti thelloj dhe ti përhap për publikun e gjerë që ky i fundit të mund të ushtrojë të drejtën e tij legjitime për tu informuar dhe për të njohur të vërtetën ashtu siç është.
 
Artikulli eshte botuar prane gazetave:
- Gazeta e Vogel: http://www.gazetavogel.al/read.php?id=59654 
- Shqiptari i Italise: http://www.shqiptariiitalise.com/component/content/article/34-itali/202-projektligji-shtupe-i-informacionit-ne-itali.html 
- Shqip: http://216.75.13.41/index/ndryshe/d89b01e8dcc765c8004228550cf2aa2f.html
- Tirana Observer: http://www.tiranaobserver.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=4358:projekt-ligji-shtupe-i-informacionit-ne-itali&catid=40:forum&Itemid=72 
- Gazetaonline: http://gazetaonline.net/2010/projekt-ligji-%E2%80%98shtupe%E2%80%99-i-informacionit-ne-itali/ 
- Albnow: http://www.albnow.com/projektligji-%E2%80%98shtupe%E2%80%99-mbi-informacionin-ne-itali-brunilda-ternova-survejimet-presidenti-i-italise-maurizio-massari-osbe-greco.html

Nessun commento:

Posta un commento