lunedì 28 aprile 2014

Femra në botën bizantine - nga Etnor Canaj

nga Etnor Canaj - Historian
Kjo ese eshte paraqitur prane Katedres se Studimeve  Bizantine ne Universitetin e Bolonjes me titullin “Figure del femimnile nel mondo bizantino”.
(shqipëroi dhe redaktoi: Brunilda Ternova)


Gruaja gjatë gjithë historisë, edhe pse ka qenë gjithmonë figura kryesore e shoqërisë, mbrojtëse dhe krijuese e jetës, duke u bërë kështu jo vetëm kujdestare por edhe garantuese e racës njerëzore, shpesh ka qenë viktimë e mizorive dhe tmerreve më të mëdha si brenda qytetërimeve të lashta ashtu edhe atyre moderne. Në shoqërinë bizantine, në shumë raste, figura femërore përshkruhej në mënyrë negative duke u përcaktuar si “e keqe” dhe “e pamëshirshme”. Përshkrimi që i është bërë Teodorës (527 – 548 erës së re), bashkëshortes së Justinianit, në “Historia Arcana” nga Prokopi i  Cezaresë është një shembull i qartë. Fakti që Teodora ndikonte në legjislacionin e bashkëshortit, duke i’u kundërvënë, është një shembull i mjaftueshëm për Prokopin që ta përshkruajë atë si “të pabesë” dhe “mizore”. [i] Prokopi shkruan: “… Pra Teodora ishte kundër dhe me një kokëfortësi mizore në shpirt, të atillë aq sa askush nuk mundte ta këshillonte ose qortonte ndonjëherë kur ajo ishte duke mëkatuar; … “ (Prokopi, Historia Arcana 15 , Vellimi II) [ii]. Kjo grua e përshkruar në këtë mënyrë duket gati “e pushtuar nga e keqja”, gati e demonizuar dhe e shurdhër ndaj këshillave të të tjerëve edhe kur gabonte. Prokopi duke i’u referuar sferës fetare na sjell në mënyrë absolute konsideratën e parë negative përkundrejt figurës femërore: atë që e përkufizonte gruan si frymëzuese dhe përgjegjëse të mëkatit origjinal. [iii]
Si shoqëri patriarkale që ishte, Bizanti ushqente një qëndrim të dyanshëm ndaj figurës femërore, duke e konsideruar atë si antitezë midis Evës dhe Virgjëreshës Maria. [iv] Femra në fakt përshkruhet si një qënie e ulët dhe e nënshtruar përkundrejt subjektit parësor që konsiderohej të ishte mashkulli.[v] Përjashtoheshin në këtë kontekst zonjat aristokrate ose ato që i përkisnin shtresave të larta dhe të mesme të shoqërisë të cilat gëzonin më shumë liri dhe më shumë të drejta, por që megjithatë, edhe ato mund të ishin subjekt i dënimeve të tmerrshme, siç ishte praktika e përhapur në Perandorinë Bizantine e prerjes së hundës. Pavarësisht nga kjo, shpesh herë femrat aristokrate merrnin pjesë aktivisht në jetën politike e ndonjëherë edhe duke kundërshtuar etërit e bashkëshortët e tyre. Irena dhe Teodora, të vejat e perandorit Teofil, janë një shembull parësor: e para, Irena, mblodhi Këshillin e Dytë të Nikesë në vitin 787 duke rivendosur kultin e ikonave për një periudhë të shkurtër; e dyta, Teodora, ishte në krye të rivendosjes së kultit të imazheve në vitin 843. [vi]
Shumica e dokumenteve të shkruara në lidhje me figurën e femrës në shoqërinë bizantine u përkasin grave të shtresave të larta të shoqërisë. Në disa raste, sidomos zonjat që i përkisnin familjeve aristokrate, perandorake ose të shtresave të pasura të shoqërisë, e kalonin kohën e lirë duke i’a përkushtuar kulturës, artit dhe shkrimit. Shembulli më i njohur i veprave të letërsisë femerore bizantine është “Aleksiada” e Ana Komnenit. [vii] Ngjitja në fronin perandorak të Komnenëve fillon me Aleksin e parë, i cili do ti japë zanafillën shekullit të Komnenëve.[viii]  Në veprën e abatit Lorenzo Miniati “Le glorie cadute dell’antichissima ed augustissima famiglia Comnena” botuar në vitin 1663, ekzistojnë disa dokumente interesante të cilat kanë të bëjnë me gjenealogjinë e kësaj dinastie. [ix] Për hartimin e librit të tij, Lorenzo Miniati i’u referohet disa teksteve greke të marra nga një klerik tjetër kishtar, G.M. Gariofili, Kryepeshkop i Ikonos (shuguruar më 18 shtator 1622 – vdes më 23 maj 1633). Kontributi i Kryepeshkopit për punën e Miniatit është e tillë aq sa ai e identifikon si këshilltarin dhe udhëzuesin e tij: “Aktualisht shënimet e dorëshkrimit janë në dorë të imzot Gio. Matteo Gariofilo, Kryepeshkop i Ikonos dhe historian i kulturës greke, të cilin e kam zgjedhur si udhërrëfyesin tim në këtë përpjekje pune.” (ita. Et al presente gl’istessi Annotamenti manoscritti, sono in potere di Monsignor Gio. Matteo Gariofilo Arcivescovo d’Iconio historico greco, ch’Io mi son preso per guida in questa mia fatica…”) [x]
Pas përkthimit në latinisht të teksteve, Lorenzo Miniati përpilon një vepër në gjuhën italiane, në të cilën lavdëron të gjitha gratë e dinastisë Komnene duke i përshkruan në mënyrë pozitive. Në këtë kontekst është interesant pasazhi ku Miniati përshkruan Maria Komnenën, njërën prej vajzave të Isak Komnenit që i përkiste brezit të dytë të dinastisë: “Maria Komnena fëmija e tretë e Perandorit Isak, ishte Princeshë sa e bukur aq edhe e virtytshme; gjente shumë kënaqësi në Poezi, Muzikë dhe Pikturë. U martua me Kostandin Kantakuzenin i ashtëquajtur Kont Perandorak meqënse ridhte nga Karli i Madh, Mbret i Francës; të cilit i dha shtatë fëmijë, përkatësisht Xhovani, Zooi, Ana, Maria, Lukrecia, Elena dhe Theodora. Princesha e bukur Zooi u martua me Vitorieno Paleologo Viterbese, ambasador i Henrikut të V, Perandor i Perëndimit në vitin 1100…” (ita. Maria Comnena terzo genita dell’Imperador Issacio, era Prencipessa altre tanto bella, quanto dotata di virtù; e si dilettò grandemente della Poesia, Musica, e Pittura. La sposò Costantino Cantacuseno detto il conte Imperiale, per essere descendente da Carlo Magno, Rè di Francia; al quale fecce sette figliuoli, cioè Giovanni, Zooi, Anna, Maria, Lucretia, Elena, e Theodora. Zooi Prencipessa gratiosissima fu maritata a Vitorieno Paleologo Viterbese, Ambasciatore di Henrico Quinto Imperadore dell’Occidente, l’anno 1100…”) [xi]
Duke analizuar veprën e Lorenzo Miniati-it mund të arrihet në përfundimin se rasti i Ana Komnenës, si figurë femërore e përkushtuar ndaj kulturës, nuk është një rast i rrallë dhe i vetëm brenda kësaj dinastie, përkundrazi, në të vërtetë shihet se figura të ndryshme femrash që i përkisnin brezave të ndryshëm të familjes së Komnenëve ishin të përkushtuara në poezi, muzikë, art dhe në kulturë. Deri tani kemi folur për dy figura femërore të kundërta midis tyre, ku njëra, Perandorja Teodora, pasqyrohet në mënyrë negative nga Prokopi i Cezaresë, ndërsa tjetra, Maria Komnena, vlerësohet dhe përshkruhet nga Miniati si një karakter pozitiv; e sidoqoftë, që të dyja i përkisnin një shtrese të lartë shoqërore. Por çfarë ndodhte me ato që i përkisnin shtresave më të ulëta? Sigurisht për gratë që jetonin në familje të varfra, ose të paktën, më pak të pasura, jeta ishte shumë më e vështirë. Ato e kalonin shumicën e kohës brenda mureve të shtëpisë ku dhe puna e tyre fillonte herët në mëngjes e përfundonte vonë në mbrëmje. Përveç punëve të ndryshme shtëpiake që përfshinin përgatitjen e ushqimit dhe sigurimin në përgjithësi të nevojave parësore, gratë përkujdeseshin për fëmijët, duke u marrë më shumë sesa meshkujt, me edukimin e tyre. Në zonat fshatare, ku përqëndrohej pjesa me e madhe e aktiviteteve prodhuese të shoqërisë së asaj kohe, gratë, përveç detyrave të lartëpërmendura, merreshin gjithashtu edhe me punët bujqësore, sikurse na pohon Patlagean: “Baza e vërtetë e shoqërisë dhe e aktivitetit prodhues ishte fshati që banohej nga fshatarët”. [xii] Atë pak kohë të lirë që mund të kishin e kalonin në kishë, njëri prej vendeve të pakta ku gratë mund të flisnin dhe të kalonin kohën në shoqëri për të gjetur një formë ngushëllimi emocionalo-psikologjik.
Një rol tjetër shumë i rëndësishëm i grave ishte kur vdiste njëri prej anëtarëve të familjes. Në këtë drejtim citati në vijim i studiueses A.M. Talbot është shumë kuptimplotë: “Ato ishin figurat më të rëndësishme kur sillnin në jetë fëmijet, ato ishin nëna, ishin punëtore, ishin infermiere; roli i tyre ishte i rëndësishëm kur një anëtar i familjes vdiste. Ndihmonin në përgatitjen e trupit për ritualin e varrimit, e lanin, e spërkasnin me erëza e vajra aromatike dhe e vishnin. Më pas, në prag të varrimit, ishin gratë në krye të vajtimeve që tregonin pikëllimin e tyre duke vajtuar, duke shkulur flokët nga koka, duke shqyer faqet me thonjë, duke rrahur gjoksin, duke grisur rrobat e tyre. Nuk ishin vetëm të afërmit e të ndjerit, por ishin edhe “vajtueset” profesioniste me pagesë të cilat këndonin këngët e varrimit duke lavdëruar virtytet e “të dashurit të humbur” e duke vajtuar vdekjen e tij.” [xiii]
Edhe udhëtari turk Eviliya Ҫelebi gjatë vizitës së tij në jugun e Shqipërisë në vitin 1670 na flet për zakone e tradita të ngjashme. Per Gjirokastrën shprehet se: “ … çdo të diel, të gjithë të afërmit e të vdekurit mblidhen së bashku në një shtëpi të ndërtuar në mënyrë te improvizuar, duke paguar vajtueset profesioniste që qajnë, ulerijnet dhe ankohen me forcë, duke ngritur një ankesë të madhe të qari … unë dyshoj se Gjirokastra është “qyteti i vajtimit”. Është një çudi e madhe se si vajtueset profesioniste drejtojnë vajtimin dhe ankimin me aq shumë ndienjë – edhe më shumë se për të afërmit e tyre – për dikë që vdiq mbi njëqind vjet më parë dhe që nuk kanë asnje lidhje. (Seyahatname VIII , 355)”.[xiv]
Biografi i Gj. K. Skënderbeut, Marin Barleti, në librin e tij “Historia de Vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis” (Romë, 1508-1510) na sjell pikërisht dëshminë për një vajtim të tillë që ai e cilëson si “vajtimi i Lekë Dukagjinit” – njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Skënderbeut -, i cili nga pikëllimi për vdekjen e këtij të fundit “ … shkulte flokët dhe mjekrën duke qare dhe vajtuar”. Përsa i përket zakoneve të varrimit të përshkruara më sipër, është e mundur të gjejme një formë paralelizmi me ato tradita të cilat ende ekzistojnë në disa zona rurale të Shqipërisë, pavarësisht se regjimi diktatorial pas vitit 1944 u përpoq pa sukses ti luftonte dhe ti eliminonte. Veçanërisht në disa vende dhe fshatra rurale malore shqiptare janë pikërisht gratë të cilat, ende sot e kësaj dite, merren me përgatitjen e të ndjerit për varrim: e lajnë, e veshin dhe e qajnë në kor gjatë përgjimit në një lloj të kënduari që njihet si “kënga me ligje” (këngë zie). Në Shqipërinë mesjetare këto doke dhe zakone janë praktikuar edhe nga burrat, ndërsa në disa zona të Malit të Zi të populluara me shqiptarë etnikë, edhe sot e kësaj dite meshkujt i ‘shoqërojnë’ gratë në aktivitetin që zhvillohet gjatë përgjimit të të ndjerit si edhe para varrimit të tij.
Për sa i përket martesës, ajo ishte me siguri me mblesëri dhe bëhej në një moshë shumë të re në krahasim me standardin tonë të tanishëm: diku midis 12/13 vjeç për femrat dhe 14/16 vjeç për meshkujt, edhe pse këta të fundit mund të martoheshin në çdo moshë e me femra shumë herë më të reja se vetja. Martesa konsiderohej e shenjtë për Kishën dhe familja si bashkësia themelore e shoqërisë. [xv]
Jeta e gruas bizantine që i përkiste shtresës së mesme, shprehet A.M. Talbot, mund të ndahej në tri faza: fëmijëria, martesa/amësia dhe ajo e vejushës/pleqërisë. [xvi] Sipas rregullave të shoqërisë bizantine, gruaja ishte ajo që merrej me punët e shtëpisë dhe me sjelljen në jetë të shumë fëmijëve, por jeta e saj ishte në përgjithësi një jetë e vështirë, e ndonjëherë edhe e rrezikshme sepse shpesh ishte viktimë e dhunës brenda dhe jashtë mureve të shtëpise. Vrasjet e foshnjeve të gjinisë femërore ishin një praktikë mjaft e përhapur në shoqërinë bizantine të kohës, kështu që prindërit luteshin për të pasur fëmijë meshkuj. [xvii]  Lindja e këtij fenomeni mund të bazohet në faktin se mashkulli konsiderohej garantuesi i të ardhmes së familjes, pra shtylla e saj, i cili do të mirëmbante dhe siguronte të mirat ekonomike, dhe në rastin e shtresave të ulëta do të ofronte krahun e punës. Nëse një grua nuk mund të kishte fëmijë apo sillte në jetë vetëm trashëgimtarë femra, mund të ishte subjekt i diskriminimit ose, në rastin më të keq, viktimë e vrasjeve. Një shembull në këtë drejtim është Perandorja Irena (Bertha e Sulzbach), e cila sipas Michele Siro vdes rreth vitit 1160 e helmuar nga bashkëshorti i saj, Manuel Komneni, pasi ajo kishte sjellë në jetë vetëm trashëgimtare femra. [xviii]
Edhe në vepren e lartëpërmendur të Lorenzo Miniatit gjejmë informacione të tjera interesante në lidhje me gratë viktima të dhunës: “Perandori Manuel pati dy gra dhe një konkubinë. E para ishte një zonjë që ridhte nga një familje gjermane me origjinë të lashtë e të fisme me emrin Bertha, që do të thotë në greqisht Irena, e bija e Berengarit të II Kont i fuqishëm i Sultzbach, e cila nuk ishte aq e bukur sa ishte e këndëshme dhe e devotshme; ai e donte atë përzemërsisht dhe lindi me të katër vajza femra, gra të bukura, dhe asnjë mashkull: Theodora që u martua me Henrikun – Duka i Austrisë; Matilda që u martua me Guljemin – Konti i Monte Pessulana; Polina që u martua me Almeriko – Mbret i Jeruzalemit; Cyrmaria që u martua me Bela – Mbret i III i Hungarisë; gjeta në një dorëshkrim të lashtë grek se Perandori Manuel, nuk mundi të kishte me Perandoren e lartëpërmendur asnjë trashëgimtar mashkull por vetëm femra; Patriarku i Kostandinopojës, i gjithëditshmi Kozma i Athinës, prelat i devotshëm, u akuzua gabimisht përpara Perandorit nga disa Peshkopë kundërshtar të tij qe u shprehën se ai (Kozmai i Athinës) punonte për t’ia dhënë Perandorinë Isakut Sebastokrator, vëllait të madh; Perandori u zemërua keqas kundra tij dhe meqënëse ishte xheloz për kurorën e rrëzoi nga dinjiteti i të qënurit Patriark; ndaj Patriarku i varfër i indinjuar nga kjo fyerje mallkoi barkun e Perandores … që ajo të mos lindte kurrë fëmijë meshkuj, trashëgimtar të Perandorisë, si në fakt ashtu edhe ndodhi.” (ita. “Hebbe l’Imperador Manuele due mogli, e una concubina. La prima fu una Signora Alemana, nata di antica e nobilissima stirpe Tedesca, chiamata Berta, che vuol dire in Greco Irene, figliuola di Berengario Primo, potentissimo Conte di Sultzbach, la quale non era tanto bella, quanto gratiosa, e divota; con tutto ciò l’amava Egli cordialmente, e fece con Essa quattro figliuole femmine, bellissime Donne , e nessun maschio, ciò Theodora che fu maritata in Henrico Duca d’Austria, Matilde fu Moglie di Guglielmo Conte di Monte Pessulana, Polina fu maritata in Almerico Re di Gerusalemme, e Cyrmaria fu Moglie di Bela Terzo Re d’Ungheria. Trovo in un antico manoscritto Greco, che l’Imperador Manuele non poté mai fare con l’Imperatrice suddetta nissun figliolo maschio, ma tutte femmine; perché il Patriarca di Costantinopoli Cosmo d’Atene dottissimo, e divotissimo Prelato, fu accusato falsamente da alcuni Vescovi suoi contrari avanti l’Imperatore, col dirgli che Lui procurava con tutto il possibile di dare l’Imperio ad Isaacio, Sebastocratore Suo fratello maggiore; Onde l’Imperatore si alterà grandamente contro di lui, come geloso della sua Corona, che per ciò lo fece deporre da quella, dignita Patriarcale. Onde il povero Patriarca sdegnato di questo affronto maledì il ventre dell’Imperatrice…accionchè non potesse fare mai figliuoli maschi, successori nell’Impero, come in effetto così successe.”) [xix]
Miniati citon fjalët e Patriarkut Kozma të Athinës: “Le të mësojnë pra Princat Sundimtare nga ky ndëshkim i rreptë që Perëndia i ka dërguar Perandorit Manuel, nëpërmjet këtij Prifti të mirë, që të mos përbuzin dhe të mos keqtrajtojnë Prelatët dhe Priftërinjtë e tyre, në mënyrë që të mos u ndodhë një ndëshkim me i keq se ky.” (ita. “Imparino dunque i Principi Sovrani da questo rigoroso castigo che mandò l’Iddio all’Imperator Manuele, ad’intercessione di questo suo buon Sacerdote, di non disprezzare, e mal trattare i loro Prelati, e Sacerdoti, acciochè a loro non succeda alcun’altro castigo, peggior di questo.” Mbështetësit e Manuelit u përpoqën të krijonin si të besueshme idenë se shkaku i vdekjes (së Perandores) ishte një mallkim i nisur nga Patriarku Kozma i Athinës, por ka shumë mundësi që në fakt të bëhej fjalë për një ‘uxoricidio’ (lat; vrasje bashkëshortore). Në këtë mënyrë të ngjashme mund të eliminoheshin edhe kundërshtarët e tjerë të Perandorit.
Dhuna që ushtrohej ndaj grave prej burrave të tyre zhvillohej në shumicën e rasteve brenda mureve të shtëpisë. Patlagean na sjell shembullin e ‘Maria la Giovane’ e cila pas akuzave fallco që i bënë për tradhti bashkëshortore, u keqtrajtua: atë e rrahën, e tërhoqën zvarrë prej flokësh dhe e goditën deri në vdekje. [xx] Në shoqërinë bizantine nuk ishin të rralla rastet e shkurorëzimit, edhe pse duke nisur prej gjysmës së dytë të shekullit të gjashtë shkurorëzimi u ndalua. [xxi] Megjithatë, arsyet e mundshme për tu divorcuar parashikoheshin nga ligji në fuqi; kështu për shembull, gjatë sundimit të Justinianit, bashkëshorti mund të kërkonte shkurorëzimin nëse bashkëshortja ishte fajtore për shkelje kurore. Ligji e parashikonte divorcin në raste të tilla si: marrëdhëniet e shumta fizike të gruas, impotenca e bashkëshortit, vrasjet në tentativë ose në raste sëmundjesh. [xxii] Një alternativë përkundrejt divorcit ishte ndarja e çiftit për arsye të zgjedhjes së një jete kishtare si murg ose murgesh në manastir. [xxiii] Në raste të rralla disa gra që përqafonin shënjtërinë, shuguroheshin si virgjëresha dhe për këtë arsye kishin refuzuar edhe seksualitetin. [xxiv] Me siguri nuk kanë munguar ato raste në të cilat, pas vdekjes së kryefamiljarit, gruaja, duke zëvendësuar bashkëshortin e saj nuk mund të rimartohej, sidomos në ato raste kur fëmijët ishin ende në moshë të brishtë. Kjo zgjedhje do të thoshte sakrifica të mëtejshme për femrën: pik së pari duhej te jepte dorëheqjen prej seksualitetit të saj; së dyti duhej të simulonte përngjashmërinë me një mashkull. Një shembull interesant i këtij simulimi nga ana e femrës na vjen prej një praktike ballkanike, e më konkretisht nga veriu i Shqipërisë, në zonat rurale dhe malore ku akoma egziston dukuria ku gratë “përpiqen të bëhen burra” duke u thirrur me emrin “virgjëresha të betuara”. Disa studiues perëndimor dhe shqiptarë që e kanë analizuar këtë zakon, besojnë se praktika i përket periudhës mesjetare, por sipas mendimit tim, kjo traditë është akoma edhe më e hershme. Një “virgjëreshë e betuar” që nga momenti që zgjidhte këtë lloj jetese, duke hequr dorë prej seksualitetit të saj e duke mos u martuar, simulonte mashkullin në të gjitha aspektet e jetës. Në fakt, ajo vishej si një mashkull duke fashuar gjoksin në përpjekje që ta fshihte e madje ulej së bashku me meshkujt. Bashkësia shoqërore e pranonte një dukuri të tillë që nga momenti kur femra kryente një betim të shenjtë përpara Zotit dhe përpara komunitetit. Me sa duket kjo dukuri e lashtë sociale qeverisej nga ligji tradicional i Kanunit, një kod zakonor shqiptar që daton në formë të shkruar në shekullin e pesëmbëdhjetë pas Krishtit dhe i cili është aplikuar në zonat malore të Shqipërisë. Sipas Kanunit, betimi i transformimit zhvillohej përpara 12 meshkujve të fshatit, pas të cilit “virgjëresha” fillonte e sillej në menyre mashkullore, merrte emrin e një mashkulli, mund të mbante armë e gjithashtu kishte të drejtë të qëndronte me burrat në të njëjtën dhomë ku grave nuk u lejohej. Virgjëreshat fitonin të drejtën për të blerë, shitur dhe qeverisur pronën, gjithashtu mund të merrnin pjesë në luftrat dhe në hakmarrjet midis klaneve. [xxv] Një studim interesant që ka të bëjë me këtë dukuri është zhvilluar nga antropologia britanike Antonia Jang në librin e saj “Women who become men: Albanian sworn virgins”.

Përfundim.
Pavarësisht se qëndrimi i bizantinëve ndaj grave ishte shpesh mizor, negativ dhe me paragjykime, gruaja ishte përherë boshti i familjes. Ashtu si në të gjitha shoqëritë patriarkale, sikurse në të vërtetë ishte edhe ajo bizantine, këto paragjykime ndaj grave ndoshta ushqeheshin kryesisht nga kisha meqënëse në bazë të teksteve të shenjta Eva ishte gruaja e parë që mëkatoi e tunduar nga ‘djalli’. Por, ashtu siç na e sjell edhe Talbot në rastin e poetes Cassia (shek. i IX-të) gjatë një shkëmbimi opinionesh me perandorin Teofil të cilit i shpreh se: “Kursi i tërë rigjenerimit të njeriut nisi nga një grua”[xxvi] Pra, në fund të fundit, figura femërore ka qënë dhe do të jetë ajo që gjithmon do të rigjenerojë dhe ushqejë të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit.

(publikuar ne gazeten Standard 28.04.2014.  http://www.standard.al/femra-ne-boten-bizantine/  )

Nessun commento:

Posta un commento