Roli i të Majtës në Fenomenet Emigruese.
[Publikuar në: Nutrika, nr. 2, shkurt 2017, f. 16-17.]
Sigurisht që hetimi i arsyeve të politikave mbi emigracionin, që ndjek e
majta në Perëndim, shfaqet i vështirë, ose më mirë shfaqet i vështirë
sa kohë përpiqesh të qëndrosh në rrafshin e të natyrshmes. Kur themi “të
natyrshmes”, kemi parasysh dhe gjërat më të nënkuptuara, të nënkuptuara
pikërisht për shkak të vlerës së tyre të pandryshueshme dhe instiktive,
siç mund të jetë edhe dera me të cilën gjithmonë është dhe do të
vazhdojë të jetë i pajisur çdo apartament. Derë që në vetvete, si do të
vinte në dukje antropologia italiane Ida Magli, shënon një kufi, një
kufi ndarës dhe mbrojtës i cili nuk mund të kalohet pa lejen e të zotit
të shtëpisë.
Por, nëse rrëshqasim nga e natyrshmja te abstraktja, te
përpunimi mbi përpunimet pseudointelektuale çështja fillon të marrë
formë. Të majtët kanë nevojë për refugjatët, kanë nevojë për të vazhduar
të jenë të majtë. Një nga shtyllat e mendimit të majtë ka rënë, madje
filloi të binte që kur i ati ishte gjallë; punëtorët nuk janë më të
pistët e Zolas (dhe për të qenë të saktë nuk ishin as ato fytyrat e
qeshura dhe krenare të njëqind lekëshit shqiptar). Në një proces
psikologjik, të ngjashëm me atë të përshkruar nga Malaparte kur të rinj
të fillimit të viteve ’40 për t’u ndjerë (më) komunistë i jepeshin
homoseksualizmit, të majtët kanë nevojë për punëtorë të varfër për t’u
ndjerë më të majtë. Aq e vërtetë është sa mund të vihet re pa sforcim
artificialiteti me të cilin, në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të
Evropës, fraksione të majta përpiqen t’i bashkëngjiten betejave të
veçanta të ndonjë kategorie të caktuar punëtorësh. “Artificialitet” që
shkakton një zhvendosje të vëmendjes nga objekti fillestar,
denatyralizon dhe në fund të fundit dëmton dhe subjektin e interesuar në
vetën e parë. Ky është një proces psikologjik, por ka dhe një anë
tjetër, shumë më të prekshme: të majtët kanë nevojë për vota. Një
ndërthurje faktorësh kanë sjellë që e majta radikale – për të përdorur
një shprehje të rëndomtë – dhe ajo me prejardhje radikale të humbasin
pjesë të rëndësishme, nga pikëpamja e numrave, të elektoratit të tyre.
Të atij elektorati të vendosur, militant dhe jo rrallëherë depozitë e
metodave të tyre të jashtëligjshme (ose klasike, sipas pikëpamjeve).
Kjo rënie e pandalshme e elektoratit duhej ndalur dhe refugjatët
dukeshin e vetmja kategori në gjendje të plotësonte modelin tipik
(padyshim dhe kutitë e votimit). Në pamje të parë mbështetja ndaj
emigracionit masiv, do të mund të shfaqej si “tradhti ndaj proletariatit
ekzistues”, pasi më shumë krahë pune do të thotë dhe ulje të pagës dhe
rrjedhimisht humbje të vendeve të punës. Por, në shkallë përfundimtare,
kjo spirale varfërimi e shtresave të mesme dhe të ulëta vendase, sipas
modelit historik, do të shkonte në përfitim të së majtës.
Në këtë
pikë nuk mund të mos merret në konsideratë edhe një element i tretë,
doktrine dhe themelor për ideologjinë komuniste. Marksizmi ka në bazë
shkatërrimin e strukturave sociale dhe identitetit ekzistues, identitet
që përbën dhe arsyen e ekzistencës së strukturave, dhe rikrijimin e
tyre, në një proces të vazhdueshëm që Bukovskij do e quante të
inxhinierisë njerëzore. Pas sulmit ndaj strukturave, si familja dhe
kombi dhe formave klasike të mendimit i është, drejtuar bazës së
identitetit, përkatësisë etnike dhe racore, duke u kthyer në flamurtaren
e martesave të përziera dhe në përgjithësi të raporteve të përziera
(qoftë dhe atyre të pavullnetshme), që gjithmonë e më shumë paraqiten si
shkalla më e lartë e emancipimit. Zhvendosim vëmendjen në
Shqipëri:përpjekja për të analizuar gjendjen has kundërshtimin e cekët
se kushtet tona, politike dhe ekonomike janë të ndryshme nga ato të
Perëndimit. Pjesërisht e vërtetë. Themi pjesërisht pasi në qëndrimet e
të majtës shtohet një element, që është kthyer në dominuesin e politikës
shqiptare: legjitimimi i jashtëm. Çdo parti në përpjeke për të
justifikuar marrjen apo mbajtjen e drejtimit të qeverisë, ka përdorur si
një nga elementët kyç të formimit të mjedisit të përshtatshëm
mbështetjen e “partnerëve tanë strategjikë”. Mbështetje që arrihet, mes
të tjerave, dhe duke ndjekur me zell vija të përgjithshme politike. Kjo u
pa qartë në fillimet e të ashtuquajturës krizë të refugjatëve, kur
Gjermania po luante me politikën e dyerve të hapura. Qeveria e majtë
shqiptare u nxitua të vinte në jetë një fushatë propaganduese në shtyp
dhe një varg masash të prekshme për pritjen e “refugjatëve”. E gjitha
përfundoi me ngjyrime tragjikomike, ku “e dërguara jonë në Korçë”, pasi
kaloi ditë duke përshkruar nevojën e mikpritjes dhe masat e marra nga
qeveria, përfundoi me tone vetëfshikëlluese pse “refugjatët” nuk po ja
varnin Shqipërisë. E gjora kaloi ditë të tëra në kodrinë duke parë me
dëshpërim mënjanimin e kufirit shqiptar nga e ashtuquajtura rrugë
Ballkanike. Kjo ishte ana komike, ana tragjike qëndron në faktin që
mjetet, ambientet dhe energjitë që qeveria parashikonte të vinte në
dispozicion të “refugjatë” as nuk u shkuan ndërmend të përdoreshin për
të përballuar ditët e ftohta të dimrit 2017. Të gatshmit për të
përshtatur repartet ushtarake për të huajt, kaluan dimrin duke numëruar
shqiptarët e vdekur nga të ftohtët.
Në këtë pikë duhet vënë në dukje
që nëse në brezin më të vjetër të së majtës mbizotëron mentaliteti
servil dhe reminishenca internacionaliste më të, rinjtë shfaqin një
zhvillim ideologjik tipik të marksizmit kulturor, çka në të ardhmen do
të sjellë qëndrime që shkojnë përtej nevojës së “legjitimimit”. Sa i
përket anës ekonomike, paçka krizës, falë politikave qeveritare, në
vitet e fundit numri i punëtorëve të huaj vetëm është rritur. Nuk flasim
për të specializuarit, por për krahun e thjeshtë të punës, atë që po
zëvendëson punëtorin e pa specializuar shqiptar, duke filluar nga
kinezët e minierave, turqit e ndërtimeve dhe deri te qindra kolumbianët e
TAP-it. Pra, disa mijëra të huaj që provojnë se niveli i ulët ekonomik
nuk shërben si barrikadë ndaj vërshimeve të huaja. Vërshime që do të
jenë gjithmonë e më të rëndësishme duke parë shpërthimet demografike që
janë të afta të kryejnë vende të caktuara. Në atë situatë, Shqipëria jo
vetëm që do të përfaqësonte një vend me paga të kënaqshme për miliona e
miliona njerëz por, në fund të fundit, dhe një hapësirë jetësore, për
ata. Në këtë drejtim nuk mund të mos bëjnë përshtypje propozimet për një
të ashtuquajtur “shtetësi të përkohshme shqiptare” apo për kthimin e
vendit në njëfarë porti të lirë në kuadër të “korridoreve humanitare”.
Si përfundim mund të themi se niveli ekonomik, hapësira gjeografike dhe
mbi të gjitha politikat dhe nevojat e të majtës krijojnë parakushtet e
mundësisë që Shqipëria të rrezikojë të përballet me fenomene të ngjashme
dhe të krahasueshme me ato në Perëndim ku nata e Vitit të Ri në Këln
përfaqëson shembullin më tipik, por për fat të keq, jo më të dhimbshmin.