domenica 3 febbraio 2013

SHKËNDIJA GREKE NË FUÇIN E BARUTIT BALLKANIK - nga Enzo Betizza



Artikull i gazetarit, shkrimtarit dhe politikanit të njohur italian Enzo Bettiza publikuar në gazetën italiane “La Stampa” në datën 25.04.1994, Nr. 111, f.5. Shkëputur prej arkivit të gazetes italiane “La Stampa”.

Përktheu prej italishtes: Etnor Canaj/ Redaktoi: Brunilda Ternova



SHKËNDIJA GREKE NË FUÇIN E BARUTIT BALLKANIK

Kufijtë e Rinj të Krizës

nga Enzo Betizza

Çërçilli thoshte shpesh që popujt e Ballkanit janë të mbingarkuar nga një mbipeshë historike të cilën nuk munden ta mbajnë mbi shpatulla. Përveç serbëve, që përherë kanë ushqyer nacionalizmin e tyre me reminishenca dhe legjenda të cilat i kanë rrënjët në mesjetën ballkanike, tani edhe grekët po vihen në të njëjtën rrugë të krijimit të mitit duke zhvarrosur kujtime të largëta që e kanë zanafillën madje që në kohen e Aleksandrit të Madh. Lufta ekonomike e shpallur më 16 shkurt prej Greqisë së Papandreut kundër Maqedonisë (ndër më paqësoret dhe më tolerantet prej ish republikave shumë-etnike jugoslave), u ndërlikua edhe më tej në një tjetër aspekt: atë të agresionit të ushtruar nga një komando terroriste me veshje ushtarake greke kundër një reparti ushtarak (shqiptar, shënimi im) në Jug të Shqiperise. Ky sulm i paparë ndonjëherë - i cili provokoi vdekjen e dy ushtarëve shqiptar -, dhe bllokimi ekonomik antimaqedonas, rrezikojnë tashmë ta transformojnë vërtet Gadishullin Ballkanik në fuçinë e barutit të Europës për të cilën flitej që në fillim të shekullit.



Sipas qeverisë greke republika e re ballkanike qe sot quhet Maqedoni, duhet të ndërrojë emrin e saj e madje duhet të heqi nga flamuri i saj edhe yllin e lashte të Verginës, trashëgimi e traditës helenistike. Për sa i përket Shqipërisë, irredentistët grek mbështesin tezën se Jugu shqiptar nuk na qënkësh gjë tjetër veçse Epiri i Veriut i banuar prej katërqindmijë grek (per Tiranen janë vetëm gjashtëdhjetmijë) duke pretenduar në këtë mënyrë hellenizimin. Athina, në formë gjysmëzyrtare, për të mos thënë në formë zyrtare, të le të kuptosh se aspiron në këtë mënyrë në zotërimin e pothuajse gjysmës së territorit të republikës fqinje. Shovinizmi i ri grek po përdor tashmë çdo mënyrë për të ndezur trazira në jugun shqiptar dhe njëkohësisht për të destabilizuar Maqedoninë me një embargo të pa precedent në marredhëniet midis Shteteve europiane fqinje dhe që nuk janë në luftë midis tyre. Këto ngjarje armiqësore krahinore shoqërohen me deklarata zjarrvënëse të prelatëve të klerit ortodoks grek, me transmetime radiofonike dhe televizive të karakterit irredentist, me mobilizim dhe tërbim të turrmave të njerzve të ekzaltuar nëpër rrugët e qyteteve kryesore duke nisur prej portit maqedon të Selanikut. Sikur të mos mjaftonte e gjith kjo, agresiviteti helmues grek ka goditur njëkohësisht edhe Italinë gjatë fushatës së fundit zgjedhore, me ndërhyrje të panevojshme përbrenda forcave partiake dhe konkurrimit politik italian. Nuk duhet harruar gjithashtu se Greqia që prej fillesave të shpërbërjes së Jugosllavise, gjithmon ka mbështetur energjikisht e në mënyrë të pa anshme çështjen e Serbisë dhe të “spastrimit etnik” serb në Bosnje dhe Kosovë. Embargoja ndërkombetare kundër Beogradit është shkelur në mënyrë të vazhdueshme dhe haptazi prej Athinës, e cila nuk e ka respektuar kurrë por ka dërguar përherë drejt aleatit të saj tradicional sllav ortodoks armë, naftë, ilaçe mjeksore dhe ushqime.



Në këtë mënyrë u krijua në brendësi e në krye të institucionit më të lartë të Bashkimit Europian një situatë e paimagjinueshme paradoksale dhe e papërshtatshme. Presidenca e Bashkimit Europian ushtrohet përgjatë këtij semestri nga një Greqi që, duke shkelur të gjitha rregullat e bashkëjetesës europiane, polemizon me Italinë në vështirësi, ndihmon Serbinë e izoluar, tenton të mbysë Maqedoninë paqësore, u jep krahë ose të paktën tolleron haptazi sulmet terroriste në drejtim të Shqipërisë fqinje. Për këtë politikë të saj të jashtme kërcenuese dhe trazuese, sidomos për strategjinë e saj të shtetrrethimit përkundrejt Maqedonisë ish-jugosllave, Greqia e cila ka presidencën e turnit të Bashkimit Europian, u vu nën akuzë prej Komisionit të Brukselit (organ qeverisës i të njejtit instiutcion të B.E.) dhe për më tepër është hedhur në gjyq prej Gjykatës së Drejtësisë së Luksemburgut per shkelje të traktatit komunitar. Gjëja më e paktë që mund të thuhet është se nuk ishte parë ende në historine - edhe pse me peripeci -, të Bashkimit të Dymbëdhjetëve, presidenca e një Shteti anetar të impenjuar në mënyrë kaq të pa përgjegjshme në prishjen e rendit dhe rregullave te miresjelljes politike europjane, pikërisht në një krahinë që është sot më vullkanikja e kontinentit.

Kumbojnë shqetësuese dhe tepër luftënxitëse diskurset e llojit serb nëpër gazeta, nëpër kanale televizive, nëpër sheshet e manipuluara dhe nëpër fjalimet kilometrike të parlamentarëve dhe qeveritarëve të Athinës. Ndërkohë që serbët kanë ndezur pastrimin e tyre racial duke ekzaltuar betejën legjendare të Fushë-Kosovës së vitit 1389, greket ndjellin figurën e Aleksandrit të Maqedonisë duke u fundosur nëpër shekujt përpara epokës së krishterë. Në këtë pikë, ndërsa flitet  për lëvizje të dyshimta të trupave ushtarake greke në kufijtë me Maqedoninë dhe Shqipërinë është mëse e ligjshme të bëhet pyetja: po pregatitet një operacion i ri spastrimi etnik prej grekëve në vend të serbëve? Po pregatitet pushtimi i Epirit të Veriut? Po pregatitet ndoshta një ndarje e re e Maqedonisë midis serbëve dhe grekëve, sikurse ndodhi në vitin 1913 gjatë luftës së dytë ballkanike, kur Beogradi dhe Athina sulmuan së bashku dhe mposhtën aleatin bullgar?


Janë pyetje jashtëzakonisht alarmuese. Nga një anë ato vënë në diskutim ekzistencën e Maqedonisë udhehequr prej politikanit Kiro Gligorov,  njeri i ekuilibruar dhe me kompetenca të larta, një ndër ministrat më të mirë të ekonomisë së ish-jugosllavise titiste, që pata rastin ta takoj shpesh herë personalisht në Beograd duke nxjerrë përherë informacione dhe indikacione te dobishme. Nga ana tjetër, ato rrezikojnë të ndezin fitilin e reaksionit zinxhir ndërballkanik duke e zgjeruar konfliktin prej Bosnjës në Maqedoni, prej Shqipërisë në Kosovë e me pas deri në Turqi. Kjo fatkeqësisht, do i jepte luftës që po zhvillohet prej dy vitesh një karakter jo më krahinor por kontinental.

Nessun commento:

Posta un commento