[publikuar ne: Nutrika Nr 2, Tiranë shkurt 2017, f. 19-21.]
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pushteti në Shqipëri u morr nga komunistët. Si në ç’do vend ku sistemi komunist u instalua, edhe në Shqipëri ndoqi të njëjtat hapa. Fakti që njerëzit as nuk e kishin idenë se çfarë ishte apo përfaqësonte komunizmi, dhe për më tepër ishte një doktrinë e cila binte në kundërshtim të hapur me traditat dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve, i trembte komunistët.
Për ta bërë doktrinën sa më të pranueshme për njerëzit atëherë u fillua nga puna për ngritjen e një propagande të fuqishme që do t’i shërbente sistemit por edhe qëllimit të sistemit: “Krijimit të njeriut të ri”. Kinemaja do ti shërbente në mënyrë të përsosur këtij qëllimi. Propaganda që përcillet nëpërmjet imazheve është shumë herë më e fortë se format e tjera të saj. Që në vitin 1947 krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare e cila merrej me realizimin e kronikave të shkurtra dhe shpërndarjen e filmave të huaj në kinematë e vendit të cilat ishin shtetëzuar tanimë. Ndërmarrja Kinematografike, e cila përzgjidhte filmat të cilët do të shfaqeshin, kishte një punë vërtetë të madhe në gjetjen e atij materiali të cilësuar “edukues” për mendjet e reja të cilat duhej të ushqeheshin me idetë marksiste-leniniste. Urdhrat ishin të qarta nga Byroja . Puna intensive synohej vetëm drejt të rinjve pasi ata duhet të ndikoheshin nga “Ideja” . Shqipëria duke qene se kishte shumë pak traditë në këtë fushë dhe specialistët, në të vërtetë të paktë, cilësoheshin edhe si produkte të sistemit paraardhës dhe nuk shikoheshin me sy të mirë nga udhëheqja e Partisë.
Kështu nisi përgatitja e regjisorëve në vendet e Bllokut Komunist të cilët, edukoheshin dhe arsimoheshin me të gjithë frymën marksiste dhe do të ishin motorët e lëvizjes dhe përhapjes së kësaj ideologjie në mendjen e shqiptarëve. Në vitin 1952 krijohet “Kinostudio Shqipëria e Re”, emërtim ky i ardhur nga ideja e krijimit të një vendi të ri larg prapambetjes, së pretenduar, feudale të sistemit paraardhës, të një fryme kulturore të re dhe sigurisht të një njeriu të ri. Kjo ishte një ndërmarrje tejet e centralizuar dhe veprimtaria e saj ishte e planifikuar nga lart. Puna e regjisorëve, por dhe vetë përzgjedhja e tyre, kontrollohej deri në imtësinë më të vogël. Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu” i cili është një bashkëpunim me sovjetikët dhe sipas montazhit të parë parashikohej të mbyllej me brohoritma për diktatorin komunist. Fillimi i viteve 1960 është në fakt lindja e kinemasë komuniste dhe prodhimtaria është disi e kufizuar. Mesi i viteve 1960 dhe deri në vitin 1979 janë vitet të cilat kinemaja është konsoliduar dhe është kthyer në armë të fuqishme ideologjike. Këto vite kemi ngritjen e koncepteve komuniste të shkrira në të gjithë filmat, që nga filmat për fëmijë dhe deri tek dokumentarët: Partia lufta dhe armiku, janë gjithmonë evidente. Prishja e marrëdhënieve me Kinën solli dhe izolimin e plotë të vendit, tanimë shtohet prodhimtaria e filmave pasi filmat e huaj duhet të zëvendësoheshin me vendas. Filmat e kësaj periudhe trajtojnë më së shumti temat e luftës. Të tillë janë filmat:Komisari i Dritës, Prita , Njësiti gueril, Malet me blerim mbuluar, Mëngjese lufte, Shtigje lufte, Rrugica që kërkonin diell, Pylli i lirisë, Tinguj lufte etj. Në këta filma jo vetëm trajtohej vështirësitë e popullit gjatë periudhës së luftës, parë në këndvështrimin komunist ku çdo gjë që ekzistonte në atë periudhë ishte e keqe populli vuante nga uria dhe shtypej nga bashkëpunëtorët e pushtuesve. Interesante është paraqitja e tregtarëve si personazhe që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me pushtuesin dhe i ndihmonin kundër luftës heroike të popullit, nga ana tjetër për këto shërbime ata ndihmoheshin nga pushtuesit dhe shtonin pasurinë e tyre.
Kështu imazhi i tregtarëve të pasur apo kulakëve vinte në masat popullore ashtu siç i interesonte pushtetit dhe krijohej një mendësi kolektive rreth këtij fenomeni që e bënte legjitim faktin e politikës së ndjekur kundrejt kësaj klase shoqërore tashmë të përjashtuar nga thuajse të gjitha fushat e jetës. Kështu, brumosja e këtij mendimi përforcohej gjithnjë e më tepër nga njëri film në filmin pasardhës. Kategori tjetër e trajtuar fuqishëm në shumë filma të kësaj periudhe ishte dhe ajo e armikut të jashtëm. Filma me këtë temë mund të përmendim : Lugina e pushkatarëve, Operacioni i zjarrit, Mysafiri. Këta filma trajtojnë luftën e popullit kundër aksioneve të anglo-amerikanëve që shkelnin në territorin e Shqipërisë ku krijonin grupe antikomuniste me qëllim përmbysjen e sistemit. Lufta kundër armiqve ishte e ashpër, madje edhe fëmijët ishin pjesë e saj. Këtu propagandohej me forcë ideja e ekzistencës së armikut të jashtëm që kërkonte të keqen e Shqipërisë. Kjo bënte krijimin e gjendjes së panikut të vazhdueshëm në popullatë, sidomos në zonat kufitare.
Sigurisht që konceptet e ngritura nga sistemi për periudhën e paraluftës ishin të gabuara por ato ishin kthyer në mendësi kolektive tashmë. Shtypja e gruas. Imazhi dhe roli i gruas do të ishte shumë i rëndësishëm për komunistët, sepse ajo mund të simbolizonte më mirë se kushdo tjetër “botën e re”, “shoqërinë e së ardhmes”, “njeriun e ri”. Për komunistët gruaja ishte një objekt perfekt për inxhinierinë e tyre sociale, sepse ajo konsiderohej si e shtypur nga një trashëgimi e dyfishtë e së shkuarës, nga prapambetja dhe varfëria dhe nga mënyra patriarkale e jetesës. Nga ana tjetër ky lloj koncepti nënkuptonte edhe një lloj pozite të dobët shoqërore të gruas, e cila mund të kthehej në një element regresiv dhe të dëmshëm për revolucionin nëse nuk shpëtonte nga kjo trashëgimi.
Në këtë kuptim nxjerrja e gruas nga prapambetja ekonomike-kulturore dhe çlirimi i saj nga normat patriarkale do të ishte ngushtësisht i lidhur me pjesëmarrjen e saj në jetën publike, ose ai që me fjalë të tjera quhej si “emancipim i gruas”. Feminizmi do të gjeje një trajtesë në shumë filma por gjithmonë i shoqëruar në goditjen e një koncepti bazë për shqiptarët: familjen. Filmat që trajtojnë feminizmin në të njëjtën kohë godasin familjen si organizim. Filmi Brazdat është një nga filmat më të ngarkuar ideologjikisht ky zgjyra komuniste ka përdorur në skenat e filmit situata utopike dhe jo normale për zhvillimin e jetës, ku ç’do gjë që shikon në këtë film arrin deri në nivelin e pështirosjes. Në këtë film trajtohet jeta e një çifti ku gruaja ëndërronte të bëhej traktoriste (!). Tashmë asaj i kishte ardhur mundësia nga jeta e re që kishte filluar dhe nuk donte të dëgjonte asgjë rreth thashethemeve lokale që njerëzit “e paditur”, jo punëtorë e prapanikë flisnin lart e poshtë. Në çdo moment të filmit vihet në pah barabarësia e saj me burrin dhe sfida në vetvete që ajo ka për të qenë e barabartë. Filmi na paraqet gjithashtu në thelb një shkatërrim të konceptit tradicional që shqiptarët kishin për familjen dhe zëvendësimi i këtij me konceptin marksist. Sipas Marksit, zhdukja e familjes paraqet shoqërizimin e njeriut, avancimin e tij në “qeniet totale shoqërore”. Të gjitha bazat e ekzistencës së tij sociale, materiale dhe morale, nga familja kalojnë në shoqëri. Marksizmi është kundër institucionit të familjes, së paku si teori ai është i detyruar të jetë kundër saj, sepse familjen marksizmi e sheh si burim të individualizmit dhe të shfrytëzimit, d.m.th, të akumulimit të kapitalit. Ndërkaq marksizmi pohon se në shoqërinë komuniste tek e cila dikur do të arrihet, nuk do të ekzistojnë as shteti, as familja, as kufijtë e as prona. Pra thënë ndryshe është kundër një tradite të trashëguar që njeriu e ka ndjekur për një periudhë të gjatë kohore. Edukimi sidomos i brezi të ri nëpërmjet kësaj rryme mendimi po hidhte bazat shumë shpejt për krijimin e “njeriut të ri”. Shoqëria tanimë do të kishte në bazë barabarësinë e mashkullit me femrën ku kjo e fundit kishte ecur me hapa galopantë drejt emancipimit. Ajo tashmë ishte futur në thuajse të gjitha fushat e jetës, pra ishte bërë pjesë e fortë ku sistemi mbështetej. Komunistët e shikonin gruan të emancipuar si një zhvillim për shoqërinë, por jo në sajën e emancipimit të Musine Kokalarit. Ajo ishte një armike e sistemit dhe tepër e rrezikshme për pushtetin popullor. Emancipimi i femrës për komunizmin shikohej në vendet e punës ku meshkujt kishin mbizotëruar : në arë, ofiçinë, ndërtim, traktoriste e të tjera si këto. Ky ishte emancipimi i femrës dhe jo të zhvillimi intelektual i saj.Filmi Kapedani gjithashtu trajton një tjetër sulm kundër traditave tradicionale që kanë bashkëjetuar me njeriun prej një periudhe të pacaktuar kohore. Goditja kundrejt tradicionalizmit bëhet nëpërmjet një personazhi të quajtur xha Sulo, ku pamja e tij ngjason me një burrë tradicional me mustaqe i cili është i papranueshëm për shoqërinë e re pasi i ka ngelur ora shumë prapa dhe rrjedhimisht është një mbetje e sistemit pararendës që gruan e cilësonte as më pak dhe as më shumë sesa një vegël. Xha Sulo cilësohej si një pengesë për zhvillimin e shoqërisë dhe një element që duhej riedukuar me frymën komuniste, dhe që në fund e kuptoi që gruaja ishte një fuqi e madhe dhe duhej të ishte patjetër e barabartë me burrin pasi ajo tashmë në shoqërinë e re komuniste bënte të njëjtat punë si ai . Kjo në fakt ishte një mesazh për të gjithë “xha Sulot” dhe rruga që duhej të ndiqej ndaj tyre.
Shembulli i “njeriut të ri “ është filmi me dy episode , “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”. Filmi flet për një zonjë e cila e urrente fshatin dhe jetesën aty. E cilësonte si vend të keq për të jetuar dhe bën njëmijë gjëra vetëm vajza e saj të mos shkojë në detyrën e caktuar në fshat. Kjo në sytë e të gjithëve cilësohet një mbetje për sistemin e cila nuk kishte mundur të riciklohej. Por krejt e kundërta ndodh në episodin e dytë. E mbushur me batuta humori i gjithë mentaliteti i zonjës ndryshon. Tashmë ajo ka kaluar në sitën e Partisë dhe statusi i saj si “zonjë” ka shkuar në “shoqe” një grua proletare e cila i ka pranuar të metat e saj dhe me ndihmën e Partisë dhe udhëheqësve ka mundur të zhdukë mbeturinat e saj dhe është integruar në jetën të ashtuquajtur normale. Ajo tashmë është frymëzim për çdokënd. Kjo mendësi e filmit tashmë duhej të pasqyrohej shumë në jetën publike dhe të vihej në praktikë.Qëllimi i sistemit, pra “njeriu i ri” tashmë ishte formuar dhe inxhinieria e krijimit të tij mund të cilësohej e përkryer. Sistemi arriti të shkatërronte shumë koncepte primare dhe ndihmesë të madhe pati padyshim kinemaja.
Filmat e periudhës së pas 1980 kanë një zbutje në aspektin ideologjik , pasi “njeriu i ri” tanimë ishte krijuar. Mendësia e njerëzve ecte në të njëjtën linjë me vijën e Partisë , pasi ishte krijuar klasa e “të bindurve”. Tanimë ishte tejçuar thuajse çdo material edukues tek populli nëpërmjet kinematografisë. Filmat, me direktivat e partisë shfaqeshin tri herë në javë në sallat e kinemave ose në televizion dhe kështu materiali thithej në të gjithë esencën e tij.
Propaganda nëpërmjet artit, është shumë herë më e fortë sesa propaganda nëpërmjet shkrimit. Një vepër e shkruar ka një numër të vogël lexuesish në krahasim me shfaqjen e një filmi. Filmi ka pamjet të cilat shpesh krijojnë dhe përfytyrime tek njerëzit(p.sh diversantët ishin të veshur me rroba lëkure ishin të, egër në fytyrë).Këto përfytyrime të krijuara si dhe imazhet, bëjnë një goditje të përqendruar të materialit propagandistik. Kjo ndikonte në një mënyrë apo në një tjetër dhe në formimin intelektual dhe perceptimin që njerëzit krijoni për fenomenet.
Rritja e fëmijëve në këtë frymë bënte që thuajse të gjithë fenomenet t’i merrnin si të mirëqena dhe nuk zhvillohej një proces normal i rritjes mendore të tyre. Kjo i sjell shoqërisë pasoja të pariparueshme në kuadrin e formimit intelektual dhe zhvillimit kryesisht të një mendimi alternativ , gjë kjo që komunizmit i vinte për shtat.
Personazhet e filmave thjesht viheshin në lojë në jetën reale , kulaku ishte i përjashtuar dhe cilësohej si gjakpirës i populli, prapaniku gjithmonë cilësohej apo etiketohej si mbetje e sistemit të paraluftës. Propaganda e zhvilluar pas izolimit të plotë të Shqipërisë krijoi një gjendje paniku të vazhdueshme përveç se në radhët e udhëheqësve paranojakë, edhe në popull.
Transmetimi i vazhdueshëm i këtij zhanri kinematografik nuk është pa kosto, Shqipëria thuajse ka dhe ajo klasën e vet të revolucionarëve. Rrjedhimisht është shkaktuar demaskimi i iluzioneve të ndërgjegjes, heroi partizan tanimë ekziston në mënyrën e vet te secili prej nesh, “ata luftuan pa e ditur se çka do vinte” është shprehja që dëgjojmë rëndom, jo, ata luftuan për një ide, luftuan në krah të Bashkimit Sovjetik në atë luftë të përbotshme, duke qenë në këtë krah morën një konstrukt mendor të pa kuptueshëm si marksizmi. Rrjedhimisht një shoqëri në tërësinë e vet analfabete, vetëm 5 % e popullatës dinin “shkrim e këndim”, zbatoi marksizmin në mënyrën e vet.
Nessun commento:
Posta un commento