giovedì 28 dicembre 2017

"Manipulim i fëmijëve"



Pak vite më parë përvjetori i Bashkimit të Italisë u kthye në një rast meditimi edhe debati për historinë e atij vendi. Pika që shkaktoi debatin më të ashpër ishte organizimi i shfaqjeve artistike në shkollat fillore dhe në sistemin parashkollor. Në mjaft raste, ndër këngët që duhet të përfaqësonin 150 vitet e atij Shteti, u përfshi dhe “Bella Ciao” (këngë partizane italiane).
Mjaft prindër shprehën botërisht kundërshtinë e tyre, me letra të hapura në media, disa prej tyre arritën deri aty sa tërhoqën fëmijët nga shkollat, vetëm e vetëm për të mos përfshirë fëmijët në këndimin e këngës partizane. Me protestën e prindërve u bashkuan dhe media dhe organizata të ndryshme politike.
Arsyeja e kundërshtisë që shfaqi një pjesë e shoqërisë italiane ishte e thjeshtë; Bella Ciao është një këngë tejskajshmërisht e politizuar (sidomos me hyrjen e saj në kulturën pop të së majtës ndërkombëtare) e cila nuk përfaqëson historinë e vendit, por vetëm të një pjese të saj. Të pjesës e cila fitoi atë që për shumë italian ishte veçse një luftë civile.
Prindërit italian vendosën që fëmijët e tyre, në disa raste edhe katërvjeçarë, të mos himnizonin as luftën civile dhe aq më pak ekzekutimet në masë që e ndoqën. Vendosën, thjesht, që Autoriteti Publik të mos indoktrinonte fëmijët e tyre. Në 2014, zv/Kryeministri shqiptar bëri të ditur programin e festimeve me rastin e “Ditës së Çlirimit”. Në kalendar përfshiheshin edhe aktivitete shkollore, si konkursi për shkollat 9-vjeçare për imazhin e Luftës dhe të kampionateve sportive midis shkollave. Ky do të ishte një rast i mirë që prindërit shqiptarë të mendoheshin më gjatë për aktivitetet kurrikulare dhe ekstrakurrikulare të fëmijëve të tyre se sa për personazhin e filmave vizatimor që do të zbukurojë çantat e fëmijëve gjatë vitit.
“Dita e Çlirimit” sigurisht ka një përmbajtje të fortë, si politike ashtu dhe historike.
I marrim me radhë.
Vendosja e datës së “çlirimit” në një datë të ndryshme nga marrja e Kryeqytetit është një akt politik i pastër. Nuk i referohem këtu debatit “28 apo 29” i cili sigurisht nuk është i dorës së dytë. I referohem faktit që në këtë mënyrë arriheshin dy qëllime. I pari është maskimi i asaj që në të vërtetë shpreh “çlirimi i Tiranës”, një grusht Shteti, ku forca antiqeveritare sulmuan dhe rrëzuan një qeveri të dalë nga një Asamble e ligjshme. Qëllimi i dytë, dhe më i rëndësishmi, shprehte politikisht dhe ushtarakisht vendimin e qeverisë grushtshtetase për të mos pasur “pretendime territoriale” (sic!!!) mbi fqinjët.
Shpesh është argumentuar se për datën e çlirimit mund të zgjidhet ose çlirimi i Kryeqytetit ose i qytetit të fundit. Pikërisht këtu qëndron vendimi politik. Shkodra nuk ishte qyteti i “fundit” i Shqipërisë. Qeveria që u rrëzua me armë përfshinte në sovranitetin e saj dhe territoret e çliruara gjatë fazave të LIIB-së. Pra Shkodra nuk ishte e “fundit”, më tej qëndronte Ulqini.
Partia Komuniste në mjaft raste, përpara nëntorit ’44 kishte deklaruar se do të bazohej mbi parimet e Kartës së Atlantikut dhe parimeve të tjera Aleate, kur përfshihej dhe mosnjohja e kufijve të ndryshuar gjatë luftës (si mund të ndodhte ndryshe kur mos respektimi i tyre cenonte ata që kishin punuar, që prej viteve ’30, për ngritjen e asaj Partie) dhe në të njëjtën kohë dhe që fati i territorit etnik shqiptar do të vendosej pas lufte. Pranimi që Shkodra është “qyteti i fundit” shqiptar pohoi që qeveria e jashtëligjshme e Tiranës braktiste gjysmën e shqiptarëve në duart e armikut.
Dikush mund të protestojë duke vënë theksin në kalimin reparteve bolshevike në atë që për vetë Tiranën duhej të ishte Jugosllavi. Aktiviteti i tyre, gjatë regjimit, është mbuluar me “ndjekje këmba-këmbës okupatorit nazist”. Ajo që gjysma e shqiptarëve zbuluan vetëm vitet e fundit dhe që gjysma tjetër e dinte që në krye të herës, është se repartet bolshevike të nisura nga qeveria e jashtëligjshme e Tiranës u përqendruan bash në zonat ku rezistenca shqiptare kundër ripushtimit jugosllav ishte më fortë. Në thelb veprimtarie e këtyre reparteve kalon nga tradhtia në pjesëmarrje në masakra.
Në përfundim mund të themi se qeveria e re e Tiranës politikisht dhe ushtarakisht jo vetëm që braktisi gjysmën e shqiptarëve por u përpoq aktivisht kundër tyre.

Nga pikëpamja historike, rezultat e “Ditës së Çlirimit” janë edhe më të prekshme, shumë prej nesh i kanë përjetuar, në kurriz.
Partia Komuniste rezultoi të ishte organizata më e madhe kriminale krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Çdo veprim i saj është i rrethuar nga pellgje gjaku. Që prej luftës vëllavrasëse (në kuptimin e parë të fjalës) që mbolli në Jug e deri në masakrat në Veri.
“Dita e Çlirimit” simbolizon vendosjen e regjimit terrorist të kësaj partie. Regjim që nisi me vrasje politike dhe shtypjen e rezistencës së armatosur në Shqipërinë londineze (rezistencë që përfshiu si malësitë e veriut ashtu edhe të jugut) dhe që përfundoi me skamjen e frikshme dhe vrasjet në kufi. As e ndërmjetmja nuk ishte më e lumtur, kampe përqendrimi, arrestime, vrasje dhe përdhunë.
“Dita e Çlirimit” simbolizon të gjitha këto.
Simbolizon se si një pakicë, me forcën e armëve dhe mbi të gjitha me ndihmën e armiqve të Kombit, mund të mbizotërojë shumicën. Simbolizon se si një popull mund t’i shkaktoj dëme të paimagjinueshme vetvetes.

Ky koment do të ishte i panevojshëm nëse ne, shqiptarët, do të ishim paqësuar me të kaluarën, por kjo e kaluar është ende nën lëkurën tonë. E ndjejmë në dhunën që ende vazhdon në territoret e braktisura nga qeveria bolshevike, e ndjemë në indoktrinimin që u bëhet fëmijëve tanë në shkollat botore. Rasti flagrant i 5 majit në Përmet është aty për të na treguar se ç’natyralizimi i “Njeriut të Ri” dhe mbrujtja me ideale antidemokratike dhe antikombëtare është ende vepruese ndër ne, se himnizimi terrorizmit vijon (me një hov jo të papërfillshëm kohët e fundit).
Në një situatë të tillë është detyrë qytetare rezistenca ndaj çdo përpjekje që godet idealet me të cilat Shteti Shqiptar u themelua më 1912.
Është detyrë qytetare mbrojtja e të gjitha vlerave që përbëjnë njëjësinë tonë kombëtare.
Më e pakta që mund të bëni është të bëheni burra e të mos lejoni që fëmijët tuaj të përfshihen në aktivitete politike. Mësojuni vlerat e lirisë dhe mbrojini nga çdo trushplarje vrastare.

Mbrojtja e fëmijëve nga ndikimet (neo)bolshevike është e vetmja garanci për të ardhmen e lirë të vendit tonë!

Nessun commento:

Posta un commento