venerdì 2 aprile 2010

Kur politika italiane abuzon me lirin e shtypit dhe të shprehjes.

nga Brunilda Ternova

Sistemi kompleks i radiotelevizionit publik në Itali lidhet ngusht në mënyrë të veçantë me zhvillimin historik dhe elementet karakterizues të shoqërise italiane. Është e qartë për gjithkënd, e sidomos për të huajt, që sektori i informacionit dhe i telekomunikacioneve në Itali mbizotërohet nga interesa të forta politike të njëanëshme dhe kjo vihet re nga mungesa e theksuar e parimit të pluralizmit të këtij informacioni.

Parimi i pluralizmit përfaqson të drejtën e informimit dhe të zgjedhjes së informacionit e cila garantohet me Kushtetutë. Duke ju referuar lidhjes së ngushtë që egziston midis pluralizmit të informacionit dhe demokracisë, liria e shprehjes në një botë të qytetëruar është thememlore dhe mbrohet me ligj. Asaj i janë kushtuar edhe dy nene të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Liria e shprehjes është e sanksionuar edhe në nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Shkelja e Nenit 10 të Konventës i jep të drejtë qytetarëve për të apeluar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër një shteti përkatës, për tu dëmshpërblyer edhe moralisht, në qoftë se janë shterur të gjitha mjetet juridike të mundshme.
Kështu në Itali egziston neni 21 i Kushtetutës italiane ku thuhet se: “Të gjithë kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimet e tyre me fjalë, me shkrim ose çdo mjet tjetër të komunikimit.
Shtypi nuk mund t’u nënshtrohet autorizimeve ose censurave.”
Gjykata Kushtetuese Italiane me vendimin nr. 420/1994, deklaroi se: “Është e nevojshme garantimi maksimal i pluralizmit të jashtëm, me qëllim përmbushjen nëpërmjet një pluraliteti zërash konkurruese, të së drejtës së qytetarëve për informacion.”
Dekreti legjislativ n. 259 i vitit 2003 mbi komunikacionet elektronike duhet te garantoje pluralizmin, liritë, objektivitetin dhe korrektesine ne trasmetimet radiolelevizive publike dhe private. Pra me pak fjalë këto nene dhe ligje duhet të garantojnë administrimin e telekomunikacionit publik të pavarur dhe autonom. Pohimi i lirisë kundrejt pushtetit ka patur si armë kryesore pikërisht mjetet e komunikimit që qytetari të fitoj pozitivisht dhe ligjërisht të drejtat dhe liritë si: lirinë e shprehjes së mendimit, lirinë e shtypit, lirinë e informacionit, etj.
Po a ndodh vërtet kështu në realitet? A garantohet manifestimi i lirive dhe të drejtave publike që mjetet e komunikimit duhet të ofrojnë? Duke marrë shtysë nga një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur në Itali kohët e fundit mund te themi se de facto nuk ndodh kështu. Ajo që po ndodh në vitet e fundit në Itali po prek surrealen. Ka shumë për të thënë e për të shtuar që të përshkruhet sado pak gjendja e degradimit të institucioneve demokratike në Itali, por në mënyrë të veçantë le të përqëndrohemi në ngjarjen e fundit që ka të bëjë me pezullimin e emisioneve ‘AnnoZero’ të drejtuar nga Michele Santoro në kanalin Raidue dhe ‘Ballarò’ të drejtuar nga Giovanni Floris në kanalin Raitre.

Berluskoni nën hetim
Në datë 12 mars 2010 gazeta ‘Il Fatto Quotidiano’ (shq. Fakti i Përditshëm) – që është një gazetë e pavarur dhe që ka refuzuar financimet publike mbi editorinë – do të shkruante në faqen e parë: “Silvio Berluskoni, Augusto Minzolini – drejtori i rubrikes së lajmeve të Rai1, dhe Giancarlo Innocenzi – komisari i Autoritetit për Garancite mbi Komunikimin (Agcom-Autorità per le Garanzie nelle Comunicazioni) janë nën hetim në procedurat e hapura nga Prokura e Trani-t e udhëhequr nga prokurori Michele Ruggiero.”
Konkretisht sipas akuzës rezulton që Berluskoni të jetë nën hetim për mashtrim e kërcënim të një Trupi Politik administrativ ose juridik (nenet 317 dhe 338 të Kodit Penal). Krime këto të kryera në dëm të Institutit Garantues të Komunikacioneve ndaj të cilit ka ushtruar presion për mbylljen urgjente të emisionit ‘AnnoZero’. Presione këto që Giancarlo Innocenzi ka mohuar që të jenë kryer ndaj tij por që faktikisht janë bëre ashtu si rezulton edhe nga përgjimet telefonike të bisedave midis kryeministrit dhe Komisarit të AGCom. Për këtë arsye ky i fundit akuzohet për favorizim. Ndërsa Augusto Minzolini, hetohet për shkelje dhe nxjerrjen e fshehtësisë hetimore.

Sipas gazetës së pavarur “Il Fatto quotidiano”, gjatë hetimit janë përgjuar telefonata që dëshmojnë presionet dhe ndërhyrjet e kryeministrit italian Berluskoni kundër emisionit ‘AnnoZero’ të Michele Santoro. Hetimet janë kryer nga Garda e Financës dhe gjykatësit e prokurës nuk kanë dashur të bëjnë asnjë koment në lidhje me hetimet. Në përgjimet telefonike, që datojnë katër muaj më parë e që si fillim kishin të bënin me hetimet në lidhje më kartat e kreditit dhe fajdetë, lexohet nëpër dosje emri i Berluskonit, i Giancarlo Innocenzi dhe Augusto Minzolini. Të gjithë – sipas gazetës – diskutojnë në lidhje me tv publike Rai dhe emisionet e saj. “Prokura – shkruan gazeta – dëgjon presionet dhe ankesat e kryeministrit për emisionin ‘AnnoZero’, të drejtuara Giancarlo Innocenzi-t, duke e ftuar në mënyre shumë të qartë që të mbyll programin.” Në një nga këto telefonata kryeministri ankohet për prezencën e drejtorit të gazetës ‘La Repubblica’ – Ezio Mauro dhe të themeluesit të saj Eugenio Scalfari në një tjetër emision që ai urren, ‘Parla Con Me’ të drejtuar nga Serena Dandini. Innocenzi nga ana e tij e siguron vazhdimisht kryeministrin se ka për ta ‘zgjidhur’ problemin duke u treguar i gatshëm për të mobilizuar disa nga zyrtarët e tij si konsulentë në këtë çështje. Konkretisht, institucionit të Autoritetit për Garancitë mbi Komunikimin – që ka si detyrë mbrojtjen e paanshmërisë së informacionit – duhet ti mbërrijnë relacione dhe raporte për të vepruar kundër emisionit ‘AnnoZero’ dhe mbylljes së tij. Po aq skandaloze e te pasura me detaje kompromentuese janë edhe telefonatat që Innocenzi i ka bërë drejtorit të përgjithshëm të Rai-t, Mauro Masi, në të cilat ankohet për presionin e vazhdueshëm e të përditshëm që i bën kryeministri Berluskoni.
I gatëshëm për të plotësuar nevojat e kryeministrit – sipas gazetës “Il Fatto Quotidiano” – është edhe drejtori i rubrikës së lajmeve Tg1, Augusto Minzolini, që është shprehur gjithashtu se do të marrë masa paraprake.


Pezullimi nën pretekstin e fushatës elektorale
Më datën 1 mars u mblodh Këshilli Adminsitrativ i Rai-t për një seancë të posaçme mbi aplikimin e rregullores së Komisionit Mbikëqyrës të kominikimit politik para-zgjedhor, i cili vendos me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm Mauro Masi, të pezullojë të gjitha emisionet politike për muajin e fundit para votimit. Pra, gjatë gjithë muajit mars pezullohen emisionet e televizionit publik si ‘AnnoZero’, ‘Ballarò’, ‘Porta a Porta’, ‘L’ultima parola’.
Ky vendim ngjalli reaksione të forta dhe jo pak polemika për vet parregullsitë që përmban në vetvete. Madje edhe vet Presidenti i Rai-t, Paolo Garimberti, u shpreh se ka dyshime serioze në lidhje me kushtetutshmërinë e disa pjesëve të rregullores, ashtu si është pranuar qartazi edhe nga një ish-president i Gjykatës Kushtetuese. “Si gazetar liberal – shprehet Garimberti – e konsideroj vendimin plotësisht negativ pasi dëmton në mënyrë të konsiderueshme imazhin e Rai-t. Në këtë mënyrë preken interesat e publikut të cilit i mohoet e drejta e cila i korrespondon një detyrimi specifik të shërbimit publik: atë të dhënies së informacionit! Në këtë mënyrë jepet një sinjal negativ në drejtim të drejtuesve të emisjoneve duke supozuar se ata nuk janë në gjendje të menaxhojnë hapësirat e caktuara për ta. Unë hedh poshtë idenë se kolegët dhe gazetarët nuk janë në gjendje të veprojnë me mençuri dhe ekuilibër në punën e tyre.”
Reagon Presidenti i AGCom Corrado Calabrò: “AGCom është një autoritet institucional i pavarur dhe autonom, i cili nuk ka ushtruar kurrë çensur parandaluese. Ne flasim me anë të veprimeve tona e këto veprime demonstrojë në mënyrë të pamohueshme pavarësinë e këij institucioni dhe autonominë e mendimit gjykues.”
“Është diçka shumë e rëndë dhe e paparë ndonjëherë – shprehet Santoro në lidhje me presionet e kryeministrit për mbylljen e emisionit që ai drejton. – Shpresoj se autoritetet më të larta shtetërore do ndërhyjnë. Unë i vetëm, për një kohë shumë të gjatë, kam kryer një betejë të vetmuar kundër një albitri që duhet të jetë neutral por që në të vërtet është ndarë në ngastra partie. Mendoj se tani po zbulohet në të gjithë shqetësimin serioz karakteri i albitrit fallco që ka Autoriteti për Telekomunikacionet. Për më tepër, mjafton të lexosh listën e anëtarëve të Autoritetit për të kuptuar se në vënd që të sigurojnë paanësinë e vendosur nga Kushtetuta për autoritetin e garantuar, e vetmja gjë që garantojnë është ndarja në fraksione.“


Precedentët e mëparshëm
Duket se impenjimi dhe objektivi i kryeministrit italian kohët e fundit është pikërisht mbyllja e gojës së gazetarëve të bezidishëm në Itali të cilat nuk janë të parat në llojin e vet. Mjafton të kujtojmë të ashtuquajturin ‘Urdhërin Bullgar’ (it. Editto Bulgaro) i cili ka të bëj me një deklarat të kryeministrit të lëshuar më 18 Prill 2002 në një konferencë shtypi gjatë një vizite në Bullgari. Gjatë kësaj konference ai u shpreh se ishte kryer “një përdorim kriminel i tv publike nga ana e gazetarëve Enzo Biaggi, Michele Santoro dhe komikut Daniele Luttazzi” duke pohuar më pas se “ishte një detyrë e qartë e udhëheqjes së re Rai mos lejimi i përsëritjes së ngjarjeve të tilla”. Të tre personazhet në fjalë më pas nuk punuan më në Rai për vite me radhë. Me përjashtim të komikut Lutazzi – që nuk ju ridha asnjëherë mundësia për të punuar në Rai – Santoro dhe Biaggi u rikthyen në punë disa vite me vonë, por pas një sërë peripecish e vendimesh gjyqësore në favor të tyre.

Në qershor 2003, gjykata e Romës – falë çështjes gjyqsore që gazetari Santoro kishte paraqitur në të – nxjerrë një Urdhëres me të cilën i imponon Rai-t pagimin e dëmshpërblimit në favor të Santoros, duke i dhënë të drejtën të drejtoj një emision me karakter «thellimi gazetaresk në oret e mbrëmjes duke e pajisur edhe me burimet e duhura njerëzore, materiale dhe teknike për të siguruar suksesin e emisionit, në kushte ekuivalente me ato të programeve të mëparshëm». Kjo Urdhëres nuk u zbatua asnjëherë, madje edhe pas një Kërkese të AGCom e cila i bënte thirrje Rai-t “në respekt të parimeve të pluralizmit, objektivitetit e plotësimit dhe paanshmërisë.” Mosmarrëveshja në mes të televizionit publik italian dhe Santoros zgjati deri në 26 janar 2005. Më pas Santoro rimerr aktivitetin e tij si gazetar dhe drejtues emisionesh pran Rai-t, me programin ‘AnnoZero’ që nisi të trasmetohet në RaiDue më 14 shtator 2006. Me kthimin në qeveri të Berluskonit, rinisin dhe polemikat e tij me Santoron dhe emisionin ‘AnnoZero’ e sidomos kundër gazetarit Marco Travaglio.

‘Raiperunanotte’
Michele Santoro në konferencën e tij të shtypit do të shprehej: “Berluskoni, filloni të dilni ju nga Rai në vend që të shkruani nëpër gazetat tuaja se duhet të dal unë. Kur filluat të bëni politikë deklaruat se nuk kishit për të prekur as edhe një ‘lule’ ndërsa tani jeni duke punuar të gjith kopshtin e duke shkulur me rrënjë githshka të mirë që ka në të. Kanalet tuaja televisive janë në vështirsi prandaj duke hequr Santoron nga RaiDue, kanalet tuaja Mediaset kanë për të bërë goxha festë. Kjo është e papranueshme. Berluskoni duhet të mbyll gojën. Unë jam punonjës i Rai-t dhe Berluskoni përfaqson konkurrentin tim sepse ai është pronar i Mediaset. Ai nuk mund të vesh njëhere një xhaketë, dhe pastaj të vesh një tjetër.”
Në orët e mbrëmjes së datës 25 mars, drejtpërsëdrejti nga pallati i sportit Paladozza të qytetit të Bolonjës, u shfaq emsioni i auto-financuar ‘Raiperunanotte’ drejtuar nga Michele Santoro, organizuar nga Federata Kombëtare e Shtypit Italian (Fnsi: Federazione Nazionale della Stampa Italiana) dhe nga Bashkimi i Sindakatave Gazetareske të Rai-t (Usigrai- Unione sindacale giornalisti Rai) si një protestë legjitime kundra çensurës mediatike që po aplikohet aktualisht në Itali.
Emisioni u trasmetua gjithashtu drejtpërsëdrejti në piataformat satelitare dhe analogjike në kanalet televizive private të: SkyTg24,CurrentTV, Reppublica TV, Teleregione Toscana, Antenna Sud Puglia, TV7, Tv Centro Marche, Telelombardia, Cannale6, Antena3, ÉTV – rete7 Emilia Romagna etj; nga radiot permendim: Radio Popolare Network, Radio Città Futura, Ecoradio, Novaradio Città Futura, Radio Nostalgia, etj; dhe sigurisht nuk mund të linim pa përmendur lidhjet e shumta streaming në internet dhe Social Network-et që dëshmuan një pjesmarrje rekord nga ana e publikut duke kapur shifrën mbi 120 mijë shikues.
Ishin të ftuar: Giovanni Floris, Gad Lerner, Milena Gabanelli, Mario Monicelli, Sandro Ruotolo, Roberto Natale, Franco Siddi i Fnsi, komikët Daniele Luttazzi e Roberto Benigni, karikaturisti Vauro, këngëtarët Morgan e Antonello Venditti, grupi muzikor ‘Elio e le Storie Tese’, etj.
Lista e emrave të atyre që dhanë kontributin e tyre për këtë mbrëmje nuk ndalet vetëm tek emrat e njohur te televizonit, por edhe tek ato më pak të njohur, duke përfshir përfaqësues të punëtorëve që janë pa punë ose që rrezikojnë pushimin nga puna në ndërrmarrjet si Delta, Tim dhe Omsa.

Në hapje të emisionit – pas shfaqjes së imazheve të Benito Musolinit paralelisht me ato të Silvio Berlusconit – Santoro do ti drejtohet Presidentit italian, Giorgio Napolitano, me një apel: “I nderuar zoti President ne nuk jemi në Fashizëm por disa ngjashmëri me Fashizmin po na merakosin….[…] … Këtu u krye një krim seriozisht i madh: ndërhyrjet politike ndaj lirisë së shprehjes. Unë – shtoi ai, duke iu drejtuar gjithnjë Napolitanos – nuk dua t’ju tërheq prej xhakete, unë nuk dua që ju të nënshkruani ose të mos nënshkruani, por unë dua të ripërsëris se nëse partitë nuk do të largohen nga Rai, do të mbetet gjithmonë në konfliktin e interesit. Ne kemi të drejtën, por edhe detyrën të flasim dhe ta vendosim vetveten në kushte që të dëgjohemi nga publiku, ata duhet që të na dëgjojn.”

Gad Lerner gjatë fjalimit të tij paralajmëroi: “ Censura aktuale e aplikuar nën pretekstin e periudhës së zgjedhjeve mund të çojë në një periudhë shumë më të gjatë censure. Ndoshta kjo do të varet edhe nga reagimi ynë. Por nga kjo situatë u krijuan antitrupa, pasi të punosh për të treguar realitetin e fakteve është antidoda për të rezistuar dhe luftuar për demokraci.”

Regjizori Mario Monicelli, duke përmendur fjalen ‘revolucion’, tha se është i nevojshëm, sidomos në një vend si Italia qe nuk e ka bërë kurrë një të tillë.

Emisioni dëshmoi të jetë përgjigjia më e mirë kundër censurës dhe shtrembërimit të informacionit televiziv, si një zonë e lirë ku u shpalosën dhe u analizuan fakte dhe realiteti i vendit i cili injorohet në mënyrë sistematike nga klasa politike italiane.

Konkluzion
Në Itali televisioni publik italian është i lotizuar në bazë të qeverive që janë në pushtet, forcave politike të radhes dhe partive të tyre përkatëse e duke qënë i mbushur me të afërmit e politikanëve dhe gazetarëve servile, është një institucion veshtir i reformueshëm. Të ardhurat eknomike nga taksa publike e Rai-t (që kap shifrën 109.00 euro në vit për individ) përdoren për të reklamuar partitë politike, programet dhe interesat e tyre në televizionin publik. Në këtë mënyrë forca të caktuara politike krijojnë emisione televizive ose mbështesin emisionet që përcjellin në publik mesazhin e tyre politik. Përdorimi arbitrar dhe i padenjë i televisionit të Shtetit nga ana e partive politike dhe e eksponentëve të tyre, çon shpesh edhe në mbylljen ose pezullimin e emisioneve që trajtojnë problematika dhe çështje që normalisht duhet të jenë të njohura nga publiku i gjëre meqënse trajtojnë argumente që lidhen ngushtë edhe me jetën dhe fatet e tij.
Rreziqet kryesore të demokracisë pas keqpërdorimit të pushtetit të katërt, përbëhet nga kontrolli politik i medias dhe nga perqëndrimi i këtij pushteti në duart e një grupi të vogël njerzish dhe nga kompanitë e tyre. Duke marrë parasysh se ata të cilët kontrollojnë mediat kanë gjithashtu tendencë të filtrojnë informacionin që është në kundërshtim me interesat e tyre, pengohet qëllimisht pluralizmi i mendimit dhe kufizohet mundësia e qytetarëve për të formuar opinione jo të manipuluara e si rjedhojë të kushtëzuar në zgjedhjet e tyre.
Puna e gazetarëve është e bazuar në parimet e lirisë së informacionit dhe të mendimit, e përcaktuar
nga Kushtetuta italiane në nenin 2 të Ligjit nr 69, më 3 shkurt 1963, ku lexohet:”Liria e informacionit dhe kritika është e drejtë e patjetërsueshme e gazetarëve. E drejta është e kufizuar nga respektimi i rregullave ligjore të përcaktuar për të mbrojtur personalitetin e të tjerëve dhe është detyrë e gazetarëve respektimi i të vërtetës substanciale të fakteve, gjithmonë duke respektuar detyrat e imponuara nga besnikëria dhe mirëbesimi.”

Artikulli është botuar pranë gazetave shqiptare:
- Shqip http://www.tiranaobserver.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=2899:kur-politika-italiane-abuzon-me-lirine-e-medias&catid=40:forum&Itemid=72

- Tirana Observer http://216.75.13.41/index/ndryshe/bf64af1ab92b01caacd3570590f6bb6e.html


- Gazeta e Vogël
Pjesa e parë: http://www.gazetavogel.al/read.php?id=51085
Pjesa e dytë: http://www.gazetavogel.al/read.php?id=51182

Nessun commento:

Posta un commento