mercoledì 14 febbraio 2018

"Albanian woman in costume" - german postcard, year unknown. Serial nr. 16365


"Albanian woman in costume" - german postcard, year unknown. Serial nr. 16365. ///
"Grua shqiptare në kostum" - kartolinë gjermane, vit i panjohur, nr. i serisë 16365.
Source/ Burimi: http://www.akpool.de/ansichtskarten/26533806-kuenstler-ansichtskarte-postkarte-albanerin-in-tracht-portrait-kopftuch


mercoledì 7 febbraio 2018

“Shqiptarët në Pianiano” - nga Elettra Angelucci



“Shqiptarët në Pianiano” -  nga Elettra Angelucci
-          përktheu nga italishtja në shqip Brunilda Ternova  -

Në dokumentet e "Archivio Camerale dello Stato di Castro", të ruajtura në Arkivin e Shtetit të Viterbo, gjejmë informacione interesante mbi emigracionin e një grupi familjesh shqiptare. Në fakt, në prill të vitit 1756 disa familje nga Shkodra, (1) për t'i shpëtuar persekutimit fetar islamik, zbarkojnë në Ankona duke kërkuar strehim në Shtetetin Papnor. Papa Benedikti XIV, pasi u siguroi atyre të ardhura nga Arka e Shtetit Apostolik për gjithçka që kishin nevojë, u dha strehë në Canino (provinca e Viterbos në krahinën e Lazio-s, Itali) si dhe urdhëroi Thesarmbajtësin e  Përgjithshëm të Dhomës së Përndritur Apostolike që t’u vinte në dispozicion ushqim e shtëpi dhe tu caktonte krerëve të familjeve toka ekzistuese në territorin e Pianianos (krahina e Lazio-s). Kështjella e Pianianos kishte qënë pjesë e Dukatit të Castro dhe Ronciglione Dei Farnese e pas shkatërrimit të Castros i kishte kaluar në pronësi R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica (shqip: Dhoma e Përndritur Apostolike ishte organ financiar i sistemit administrativ papnor që merrej me qeverinë dhe në administrimin e drejtësisë).  

Falë Benediktit të XIV në 28 nëntor 1729 (2), me kërkesë të banorëve të Pianianos dhe atyre të Celleres, Kështjella ishte bashkuar me Komunitetin e Cellere. Megjithatë, për shkak të faktit se zona ishte e pashëndetshme dhe kultivimi i tokës kishte vështirësi, në pak vite u shpopullua dhe shtëpitë po shkonin drejt rrënimit. Dhënia e tokave dhe Kështjellës së Pianianos shqiptarëve dukej se ishte zgjidhja më e mirë për të zgjidhur një problem të dyfishtë: për të parandaluar shkatërrimin total të Pianianos dhe t’u jipte shkodranëve shtëpi dhe mjete për të jetuar.  Megjithatë, dispozitat papale nuk u zbatuan menjëherë dhe shqiptarët mbetën në Canino. Duke filluar nga 28 Nëntori i të njëjtit vit, çdo anëtari të familjeve shqiptare i’u caktuan pesë  monedha “baiocco në ditë për jetesë, ndërsa R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica paguante bukëpjekësin e Caninos rreth 29 monedha “scudo” dhe 7 monedha “baiocco për bukën që ai u kishte dhënë që nga momenti i mbërritjes së tyre (3).
Së fundi u vendos që ti caktohet kolonisë shqiptare Kështjella e Pianianos dhe dy pronat që i përkisnin R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica të quajtura "Banditella" dhe "Sterpaglie" të përpjestuar në këtë mënyrë: tre të katërtat njësi monetare për çdo mashkull dhe një çerek për çdo grua dhe djalë. Thesarmbajtësi i Përgjithshëm i atëhershëm, kardinali Niccolò Perelli, në një letër të tij të datës 13 prill 1757, i dha dispozita Zotëruesit të Përgjithshëm të Shtetit në Castro dhe Ronciglione, kontit Niccolò Soderini, që të procedonte me ndarjen e terrenit (4). Arëmatësi Agostino Primavera u ngarkua me detyrën për të hartuar një hartë topografike të dy pronave (5) dhe më 29 nëntor, noteri i Dhomës së Tregtisë Filippo Boncompagni përpiloi aktin me të cilin konti Soderini, në emër të R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica u akordonte me qera të përhershme krerëve të familjeve shqiptare, tokën, veglat e  punës dhe bagëtinë: "Në emër të Dhomës së Përndritur Apostolike i është dhënë dhe dhuruar krerëve të familjeve, 42 buaj parmende, 32 lopë rrace, 20 plugje, 74 sëpata, 70 kiza, 70 shatërkaz dhe 128 kazma siç u përmend më lart ... si dhe tre gomerë me samar dhe një pelë.” (6)

Me sa duket, shqiptarët hasën pengesa të mëdha në atdheun e tyre të ri, si për shtëpitë që ishin  gërmadha ashtu edhe për punimin e tokave të dhëna me qera të përhershme e të cilat ishin kryesisht të pyllëzuara dhe me driza. Edhe vështirësitë e integrimit në një kontekst të ndryshëm social nga ai i tyre dhe të kuptuarit e një gjuhe të panjohur ( “Drejtori" i kolonisë, Don Stefano Remani, vepronte si përkthyes) kontribuan shumë në dekurajimin e tyre aq sa më 28 nëntor 1760 të gjitha familjet shqiptare u nisën për në Napoli, duke braktisur Pianianon. Qiramarrësit, duke i konsideruar të deklasuara koncesionet e bëra për Shkodranët, nxituan të rifitonin posedimet e tokave dhe, kur familjet shqiptare - duke përjashtuar ato të Simone Gionit, Primo Cola dhe Michele Zadrima që mbetën në zonën e Napolit - u rikthyen në Pianiano, lindën grindje që vazhduan për shumë vite.


Në vitin 1768 Kështjella e Pianianos ishte sërisht në gjendje të rrënuar.  Thesarmbajtësi i Përgjithshëm, kardinali Braschi, meqënse ishte i mendimit se pashëndetshmëria e zonës varej nga gjendja e shkatërrimit dhe braktisjes në të cilën gjendej ai vend, lëshoi një dekret (7) i cili u dha pronarëve tre muaj kohë për të sistemuar shtëpitë; pas këtyre 3 muajve  R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica do të rifitonte të drejtën e posedimin dhe do t’ua jipte me qera të përhershme atyre që do bënin kërkesë, duke i’u dhënë përparësi shqiptarëve.

Giulio Raimondo Cencini, ekspert me profesionin e gjeometrit, u ngarkua me detyrën që të hartonte një hartë të Kështjellës së Pianianos (8), në bazë të së cilës më 4 nëntor 1768 Francesco Maria Pieri, zotërues i Montefiascone dhe Këshilltar i Përgjithshëm i Shtetit të Kastros, t’u jepte me qera të përhershme shtëpitë shkodranëve që nga ana e tyre angazhoheshin për t'i restauruar dhe banuar brenda dy vjetësh, përndryshe shtëpitë përsëri do të ishin në posedim të R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica (9).

Në vitin 1770 u erdhi fundi grindjeve për posedimin e pasurive të "Banditella" dhe "Sterpaglie" dhe më 1 shtator u përpilua akti i pajtimit në të cilin u vendos se familjet shqiptare do të rimerrnin pasuritë që u ishin dhënë me qera të përhershme në vitin 1757.

 Një vit më pas, Arëmatësi Angelo Sani hartoi një plan të ri për të dyja terrenet dhe për pronën e quajtur "Il Cerqueto" dhe sipërfaqa totale prej 135 njësi monetare dhe 8 shinik, i’u caktua sërisht krerëve të familjeve (10).  Meqënse që nga viti 1757 disa familje ishin zhdukur, ndërkohë familje të tjera kishin ardhur më pas, me një akt të noterit Domenico Dolci u bë një ndarje e re, duke ruajtur kushtet dhe marrëveshjet e përpiluara në vitin 1757 (11).
Dukej se më në fund kolonia shqiptare e Pianianos kishte zgjidhur të gjitha problemet e saj. Por në të vërtetë konfliktet vazhduan, si me banorët e Cellere, me të cilët përbënin një distrikt kështjellor të vetëm me interesa të përbashkëta dhe të njëjtën qera të përhershme (12), ashtu edhe me pronarët e tokave fqinje për shkak të thyerjeve të vazhdueshme të kufinjëve dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë. Ka pasur edhe shumë grindje brenda kolonisë shqiptare, veçanërisht në mesin e familjeve kryesore, Sterbini dhe Mida. Këta të fundit ishin trashëgimtarët e don Stefano Remani, i cili kishte qënë "drejtori" i parë i kolonisë shqiptare ndaj dhe pasardhësit kishin pretendime të mëdha përkundrejtë bashkatdhetarëve të tyre (13). Në fakt, këto dy familje, në sajë të qerave të ndryshme të shtëpive dhe tokave të marra gjatë viteve nga R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica, kishin rritur ndjeshëm pronësitë e tyre dhe tani mund të konsideroheshin familje të pasura (14).
Në ngjarjet e kolonisë shqiptare, një rol shumë të rëndësishëm luajtën priftërinjtë "Drejtor" të famullisë:  duke nisur nga i pari don Stefano Remani  - i cili i udhëhoqi në udhëtimin e tyre duke vepruar si ndërmjetës me R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica e si përkthyes i shqiptarëve të parë që mbërritën në Shtetin Papnor, e duke vazhduar me të dytin don Simone Sterbini  - i cili mori për bashkatdhetarët e tij  ndarje të tjera terrenesh nga R.C.A.: Reverenda Camera Apostolica (15), e duke e mbyllur me kryepriftin Michelangelo Calmet – i cili që prej vitit 1795, bëri shumë udhëtime në Romë për të mbrojtur koloninë shqiptare dhe për t'u kujdesur për interesat e tyre sidomos për çështjet gjyqsore që kishin vazhdimisht “duke falur mjetet e mia (financiare) prej gjysmë mijë monedhash “scudo” e më shumë...” (16).  Michelangelo Calmet, i cili u bë peshkop i Ripatransone, do të zëvendësohet në rolin e Drejtorit të përkohëshëm të kolonisë shqiptare, nga i vëllai Giuseppe Calmet. Pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 1844, Stefano Sterbini - nipi i tij - dhe Ludovico Orti - trashëgimtari i tij fiduciar - së bashku me Giovanni Masini dhe Antonio Pala, aplikuan në Kongregacionin e Shenjtë të Propagandës për ta pasuar në atë post (17). Por tani në Pianiano kolonia shqiptare ishte pothuaj zhdukur fare dhe egzistonin vetem tre familje - Mida, Micheli dhe Codelli - të cilat përbënin një bërthamë të vogël me njëzet njerëz. Të gjitha familjet e tjera ose ishin zhdukur ose ishin trasferuar ose ishin përzier në lidhje farefisnore me banorët e Ischia, të Cellere dhe të fshatrave të tjera fqinje.


Shënime
1) Familje shqiptare të pranishme në Pianiano nga viti 1756 (mbiemrat në kllapa tregojnë variacionet e vërejtura në dokumentet e ndryshme që kanë të bëjnë me shqiptarët): Cola, Micheli, Colitzi (Collizzi, Colizi), Lescagni, Lugolitzi (Logorozzi, Logrezzi, Logorizzi) , Natali, Mida, Covacci, Pali, Gioni, Halla (Ala), Gioca, di Marco, Cabasci, Brenca, Ghega (Ellega), Carucci, Zanga, Ghini (Gini), Milani, Zadrima (Xadrima), Calmet, Sterbini, Calemesi (Calamesi, Calmesi), Codelli, Remani.
2) Archivio Camerale Stato di Castro (A.C.S.C.) - Seria I Aktet e qirasë etj. - b. 12, faza. 2 (kopja e një qeraje nga prona "Chiovano" për familjen Sterbini).
3) A.C.S.C. - Seria IX - Letra të njerëzve të ndryshëm - B. 172 c. 28.
4) A.C.S.C. - Seria IX - Letra të njerëzve të ndryshëm - b. 172 c. 28. Në mënyrë që të dy parcelat e tokës të ishin në pronësi tërësisht të familjeve Shkodrane, Andrea Marianit,  trashëgimtarëve Querciola dhe Vincenzo Febeit - që posedonin respektivisht 4 shinik, 2 shinik dhe 6 shinik -, u  është dhënë në këmbim një sipërfaqe përkatëse e tokës në një vend tjetër.
5) A.C.S.C. - Seria XI - Harta topografike - harta n. 7.
6) A.C.S.C. - Sereie I - Dokumente mbi qeratë - prot. 7 c. 28.
7) A.C.S.C. - Seria IX - Letra të njerëzve të ndryshëm - b. 172 c. 81. Edikti është i datës 21 prill 1768.
8) A.C.S.C. - Seria IX - Letra të njerëzve të ndryshëm - b. 172 c. 81.
9) A.C.S.C. - Seria I - Dokumente mbi qeratë - prot. 7 c. 81.
10) A.C.S.C. - Seria XI - Harta topografike - harta n. 5.
11) A.C.S.C. - Seria I - Dokumente mbi qeratë - prot. 7 c. 81. R.C.A. duke pasur pronësine dhe sundimin e drejtpërdrejtë u dha shqiptarëve prona me qera të përhershme; qeraja  vjetore për çdo parcelë terreni ishte një shinik me grurë. Në rast të vdekjes së kryefamiljarëve, trashëgimtarët mund të marrin përsipër qeranë e përhershme, ndërsa në rastin e zhdukjes së familjes duke mos lënë trashëgimtarë pronat u rikthehen R.C.A. që parashikonte një ndarje të re midis shqiptarëve. Sidoqoftë toka nuk mund të shitej ose te falej.
12) A.C.S.C. : Seria III - Kadastri - voI. 53 c. 7. Në vitin 1780, R.C.A. posedonte «... Në territorin e Pianianos një mulli për të bluar grurin për banorët e Cellares dhe të Piananos me një gur mulliri».
13) A.C.S.c. - Seria VIII – Letra të Thesarmbajtësit të Përgjithshëm - b. 162 dosje 6.
14) A.C.S.C. - Seria I - Dokumente mbi qeratë - prot. 7 c. 96; b. 12 faza.
15) A.C.S.C. - Seria I - Dokumente mbi qeratë - prot. 11 c. 33. Në vitin 1792 vendi i quajtur "Le Coste di Monte Maria", që ndodhej nën Kalanë e Pianianos, u nda midis shqiptarëve. Eksperti Angelo Qualeatti u emërua për të përgatitur hartat.  
16) A.C.S.C. - Seria IX - Letra të njerëzve të ndryshëm - n. 206 dosje.
17) Delegacioni Apostolik i Viterbo - Seria II Pjesa II - zarfi 263 Titulli XXI rubrika 4.