Professor Alberto G. Areddu prej vitesh interesohet në disiplinën e “gjuhësisë Sarde” mbi të cilën ka publikuar: “Studime Etimologjike Logurdeze”, “Shënime dhe Shtesa mbi DES” (1996), “Launeddas dhe studime të tjera greko-italike” (2004). Ka publikuar recensionet e tij në Romance Philology të Berkeley, dhe është recensuar nga H.J. Wolf në “Zeitschrift für Romanische Philologie” (2002).
Në studimin e tij të fundit “Origjina Shqiptare e Qytetërimit në Sardenjë” 2007, autori me kërkimet e tij arrin deri tek burimet origjinale te gjuhës Sarde, duke dëshmuar dhe duke nxjerr në pah prespektivën paleoilirike si më bindëse bazuar në elementët e shumtë të toponomastikës dhe të lesemave të pashpjeguara deri më sot.
Brunilda Ternova: Para së gjithash Profesor Areddu ju falenderoj për mundësnë që na ofruat për t’ju bërë këtë intervistë, duke i mundësuar lexuesit shqiptar (në Shqipëri dhe në diasporë) që të njoh Juve dhe veprën tuaj shkencore.
Prof. Alberto G. Areddu: Faleminderit Juve që më mundësuat të flas mbi punën time.
Brunilda Ternova: Meqënëse vepra është e vështirë të konceptohet e shkëputur nga krijuesi i saj, më lejoni t’ju pyes diçka mbi personin tuaj. Kush është Profesor Alberto Areddu, ku ka lindur dhe ku është rritur?
Prof. Alberto G. Areddu: Kam lindur në Xhenova nga prindër sardenjas ku dhe jam diplomuar, e më pas jam transferuar në Sardenjë, ku aktualisht punoj si profesor në një shkollë publike të profilit të mesëm ku dhe jap mësim.
Brunilda Ternova: Libri juaj “Origjina Shqiptare e Qytetërimit në Sardenjë” është publikuar në 2007 dhe është një libër që trajton argumente shumë interesante në fushën gjuhësore, etnografike dhe historike. Mund të na shpjegoni çfarë do të thotë ky libër për ju? Çfarë ju ka shtyrë të ndërmerrni përsipër një studim të tille, si kanë lindur këto studime dhe si janë zhvilluar gjatë kohës?
Prof. Alberto G. Areddu: Ajo që më ka interesuar prej kohësh ka qënë gjetja e shpjegimeve në lidhje me origjinën e sardëve, të cilët duke qënë banorë të një ishulli patjetër që duhet të jenë të ardhur nga diku, por deri më sot hipotezat e ndryshme që janë shfaqur, thjesht kanë eliminuar njëra-tjetrën. Unë prej kohësh jam i interesuar nëpërmjet kërkimit etimologjik në këtë fushë, dhe vështirësia qëndronte në gjetjen e materjaleve të mjaftueshëme për të përforcuar denjësisht dhe në mënyrë shkencore ato që ishin në fillim thjesht parandjenja.
Brunilda Ternova: Cilat janë pikat e forta që sipas jush argumentojnë teornë tuaj mbi origjinën ilire të qytetërimit në Sardenjë? Si shpjegohet që studjuesit e tjerë kanë druajtje, për të mos thëne frikë, ti trajtojnë këto pika takimi historike në antikitet midis popullit Sardenjas dhe atij Ilir?
Prof. Alberto G. Areddu: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Duhet të dihet dhe mund ta themi pa frikë fare, se argumenti i antikuareve dhe veçanërisht ai i toponomastikës rindërtuese në Sardenjë është i kontraktuar vetëm për pak studjues, të cilët nuk kanë asnjë interes që një jo-akademik të shprehë opinione në kundërshtim me hipotezat ose punimet e tyre. Kështu ndodhi që i vetmi recension (pozitiv në pjesën më të madhe) që ka dalë deri më sot, i përket ballkanologut Emanuele Banfi të Universitetit të Milanos i cili nuk është sardenjas.
Ka edhe një arësye të përgjithëshme që e bën më pak interesant studimin tim: prej vitesh egziston një rrymë e shtëpive botuese sardenjase, që është e interesuar më shumë të manifestojë (sesa të dëshmojë) se Paleosardët ishin Semitë antikë, rastësisht krijues të një qytetërimi të jashtëzakonshëm të lindur gati abiogjenetikisht¹ ...Gjithashtu edhe baronët universitarë janë të tërhequr nga këto hipoteza dhe shkruajnë libra easy reading (të lehtë për tu lexuar) për publikun e pashkolluar. Për këtë arsye shumë njerëz në Sardenjë mendojnë se sardët rrjedhin nga Lidët imagjinarë (mbi të cilët nuk dimë praktikisht asgjë), dhe se sardenjasit nuk janë gjë tjetër veçse unaza lidhëse me Etruskët.
Pra ështe e thjeshtë të kuptohet, pasi në të vërtet nuk ka asnjë Babilonez ose Lidian të gjallë e në jetë që të mund të replikojë në lidhje me pasaktësitë e këtyre studjuesve.
Kuptohet qartë se ideja është shitja e flakonave të shpresës për njerëz që mendojnë se kanë nevojë, dhe e gjitha kjo bëhet në dëm të kërkimit shkencor. Sardenjasit pa dashur ti akuzoj për lehtësi, dëshirojnë të kalërojnë (dhe të kalërohen) nga hipoteza të Forta që lartësojnë një farë sensi të vjeter infeririteti që kanë (i krijuar nga fakti se nuk janë dhe nuk ndihen italianë), prandaj hipoteza iliro-shqiptare nuk është tërheqëse duke qënë se është bijë e një populli të pakicës.
Megjithatë kohët e fundit duke lexuar artikujt nëpër revistat sardenjase po preket shkarazi – kuptohet duke mos më përmendur si burim fare – një farë lidhje e botës së hershme sardenjase me atë thrake, e parë në të njëjtën formë ashtu si ajo imagjinarja e zonës Lidiane.
Elementët e fortë që argumentojnë tezën time janë: lokalizimi i disa leksemave në zonat më konservuese të Sardenjës, të cilat nuk janë të shpjegueshme me anë të latinishtes por mund të shpjegohen me anë të shqipes, rumanishtes, me anë të disa elementëve arkaik të balto-sllavishtes ose me ato pak që njohim nga thrakishtja dhe ilirishtja shpesh të ruajtura nga glosa dhe fjalët greke.
Egzistojnë të dhëna të burimeve historiografike greke që tentojnë të kualifikojnë ardhjen e elementëve ilirik në Sardenjë, (jo si pushtim popujsh), sëbashku me njerëz të Beotisë (që flisnin gjuhën Eolite) duke shënuar një moment të rëndësishëm të qytetërimit, të ushtruar nga njerëz me një kulturë më të lartë në krahasim me ishullorët sidomos në bujqësi dhe kultivim.
Brunilda Ternova: Ky libër është publikimi juaj i tretë i vet-financuar. Mendoni se është e natyrshme dhe e “drejtë” që studime të tilla shkencore të hasin kaq shumë vështirësi për tu botuar dhe publikuar nga organet paraprake, dhe nga shtëpitë botuese?
Prof. Alberto G. Areddu: Për fat të keq më duhet të them se kjo është një praktikë shumë më e përhapur sesa mendohet. Sot, ose ke përkrahjen e një shtëpie botuese të fuqishme që mendon të botojë tremijë kopje, ose në të kundërt duhet ti apelohesh industrisë së librit on demand e cila maskohet nën petkun e industrisë zyrtare. Prandaj dikush edhe mund të punoj mbi një hipotezë e cila mund të jetë komplet e gabuar, duke investuar kohë dhe kapitale e duke vet rrezikuar.
Ajo që është e papranueshme është fakti se botimin nuk ta lejojnë pikërisht ata që ndajnë të njëjtat interesa me ty, kjo ështe e tmerrëshme dhe jo njerzore. Por nuk ka kuptim të ankohesh duke gjykuar pasojat mbi insistimin e kësaj heshtjeje, pasi akademikët janë të auto-rekomanduar dhe korporativ, dhe nëse i ke lejuar vet-vetes ti kritikosh në studimet e tua atëhere per ty ka marre fund gjithshka.
Brunilda Ternova: Teoritë tuaja janë shumë revolucionare; keni patur pak ndrojtje se mos idetë tuaja kritikoheshin nga qarqet akademike dhe shkencore?
Prof. Alberto G. Areddu: Janë më pak revolucionare sesa mund të merret me mend. Ideja e një elementi paleo-ballkanik në brendësi të gjuhës sarde nuk është nje ide e re. Studjuesi më i madh i gjuhës sarde, gjermani Max Leopold Wagner e kishte shprehur këte ide në studimin e tij më 1933 të publikuar në revistën Revue de Linguistique Romane (të cilën kushdo mund ta shkarkoj nga siti web Gallica). Për fat të keq, kjo ide, më pas ra në atë të shkollës italiane të ashtëquajtur “mediterraneiste”, që shihte një prani të konsiderueshme elementësh pre-indoeuropjan në zonën e mesdheut, me më pak elementë indoeuropjanë.
Megjithatë unë e përsëris, se do më pëlqente që studimet e mia të kritikoheshin pasi do të thotë se “egzistojnë. Prandaj, duke marrë parasysh faktin se prej dy vjetësh në Sardenjë nuk është publikuar asnjë recension nëpër gazetat lokale , televizionet, revistat akademike ose parakademike, për të nxjerr në pah punën time kam krijuar një web sit personal dhe shkruaj në ndonjë blog.
Gazetarët (90% e të cilëve nuk njeh as greqishten dhe as latinishten e jo më të njohin shqipen), degjojnë me veshore ato që u thuhet nga referuesit universitarë, që shpesh janë të ndërlidhur me shtëpitë botuese, me ato shpërndarëse, dhe me ato dy gazeta që publikohen (të cilat nuk është se shkëlqejnë).
Mund të shtohet ndonjë gjë tjetër më tepër se kaq?
Brunilda Ternova: Çfarë përfaqson për Ju Sardenja dhe çfarë do të thotë të jesh sardenjas sot nën dritën e kësaj lidhje Sardo-Ilire (Shqiptare)?
Prof. Alberto G. Areddu: Do të thotë të ravijëzosh një drejtim të largët, i cili në epokën e Bronxit, i ka sjellë elementë qytetërimi atyre popullsive të cilat kishin ngelur në fazat e prapambetura të Neolitit.
Është e mundur që në zonën Nuoreze (hetimet gjenetike janë akoma në fazat fillestare), të zbulohen bërthama të lidhura gjenetikisht me popullsitë e sotëme të ballkanit; është kjo arsyeja për të cilën njërin nga kapitujt e kam titulluar duke parafrazuar Virgjilin: “Mbi kërkimin e babait antik”.
Brunilda Ternova: Prania e diasporës Shqiptare në Itali është ndër më të shumtat dhe më konstantet që njihen historikisht, duke nisur që nga antikiteti e duke vazhduar deri më sot në ditët tona. Mendoni se kjo lidhje kaq antike dhe prania e sotëme shqiptare në territorin italian, mund të ndihmojnë në krijimin e një klime vëllazërore reciproke midis popujve tanë dhe gjithashtu shkembimeve të ardhëshme midis studjuesve e shkencëtarëve?
Prof. Alberto G. Areddu: Unë uroj që kjo gjë të ndodhë. Fatkeqësisht ndodhemi në një moment që ashtu si në Itali edhe në Sardenjë ka patur një farë reagimi ndaj emigrantëve në vetvete (tout court), që nuk merr parasysh cilësitë personale të individëve, dhe e gjitha kjo për arsye të rendit publik dhe të krizës aktuale ekonomike.
Duke arsyetuar në aspektin antik, egzistencën e një diaspore ilire mund ta shohim tek “Popujt e detit” midis të cilëve përfshihen Shardanat. Populli i Shardanëve, që sipas interpretimeve të studjuesëve Schachermeyr dhe Bonfante mendohej se ishin njerëz me origjinë ilire, të shtyrë nga nevoja u spostuan drejt deltës së lumit Nil, për tu drejtuar më vonë drejt Palestinës. Janë të shumta të dhënat që na sigurojnë se kjo dyndje ka ndodhur: qyteti i Sarda (Shudah i sotëm), fisi i Sardeates ose i Ardiejve, qyteti Pelastae nga ku kemi emrin etnik Pelaestini ose Pelasgi, etj, etj.
Brunilda Ternova: Mendoni se mund të organizohen edhe sipërmarrje të tjera – jo vetëm publikime studimesh por edhe sipërmarrje akademike – për të hedhur më shumë dritë mbi këto argumente që zbulojnë misteret e të kalurës së popujve tanë?
Prof. Alberto G. Areddu: Patjetër. Është e nevojshme që studjuesit shqiptarë të merren me “Gjërat Sarde” për të parë nëse edhe ata, nga ana e tyre, identifikojnë bërthama të përbashkëta qytetërimi. Gjithashtu, shpresoj që edhe ne nga ana jonë - qofshim ose jo akademikë por thjesht kureshtarë, ose eksperimentues të arsyeshëm pa paragjykime dhe të pajisur me dritën e llogjikës - të merremi me “Gjërat Shqiptare”, duke studjuar në menyrë më të thelluar dialektet, traditat dhe toponimet shqiptare.
Fatkeqësisht paguajmë një peshë negative: jemi popuj të vegjël në numër dhe nuk e di sesa do të ishim të gatëshëm si në Shqipëri ashtu edhe në Sardenjë të thelloheshim mbi këto lidhje delikate.
Brunilda Ternova: Cili ështe mesazhi juaj për lexuesin shqiptar dhe cili do të jetë argumenti i veprës suaj të ardhëshme?
Prof. Alberto G. Areddu: Njëra nga dëshirat e mia kulturore do të ishte zhvillimi i një rryme edhe jashtë Shqipërisë, që të rivlerësojë antikitetin ilir, ashtu si ka ndodhur për popullsitë e tjera antike indoeuropjane gati të harruara si psh. rasti i sagave kelte.
Dëshira ime shkencore është që në studimin e ardhëshëm të thelloj disa aspekte të rindërtimit historik dhe kulturor të lëna në harresë gjatë studimit “Origjina Shqiptare e qytetërimit në Sardenjë”, pra të sjell jo vetëm fjalë por edhe objekte, tradita, ndërlidhje reciproke dhe simbole.
Më lejoni të ndahem nga ju duke përdorur një fjalë përshëndetëse tipike shqiptare: falem, që sipas të madhit Eqrem Çabej rrjedh nga latinishtja CHALARE e ruajtur edhe sot në gjuhët Sarde dhe Korse në vlerën origjinale “zbres” (falare). Faleminderit të gjithë juve!
Brunilda Ternova: Faleminderit Juve Professor Areddu për këtë intervistë shumë të këndëshme!
Shënime
1)abiogjenetikisht: Teori që hipotizon krijimin e organizmave të gjalla nga lënda pa jetë.
1)abiogjenetikisht: Teori që hipotizon krijimin e organizmave të gjalla nga lënda pa jetë.
Për informacione të mëtejshme ju ftojmë të konsultoni blogun e autorit:
http://web.tiscali.it/sardoillirica/sardoillirica/ARCHIVIO%20ILLIRICO.htm
Per të kontaktuar me autorin E-mail: illirica@tiscali.it
Intervistoi dhe përktheu nga italishtja: Brunilda Ternova
Koment nga studjuesja Eva Brinja:
Eva Brinja
Brunild e dashur ende pa e lexuar gjith artikullin duke pare deri ku shkonte me ra ne sy paragrafi i fundit "Më lejoni të ndahem nga ju duke përdorur një fjalë përshëndetëse tipike shqiptare: falem, që sipas të madhit Eqrem Çabej rrjedh nga latinishtja CHALARE e ruajtur edhe sot në gjuhët Sarde dhe Korse në vlerën origjinale “zbres” (falare). Faleminderit të gjithë juve!" E dashur i thuaj profesorit te nderuar se "falem nderit" nuk ka sesi te ket referim latinishten pasi se pari eshte dyrrenjshe e paster shqipe e jo vetem kaq por zberthimi i metjeshem te çon po me ane te shqipes ne origjinen jo vetem te mendimit qe sjell ne jet keto dy fjal por edhe te nje strukture te tere zakonore shqiptare saj te ciles ne kemi mbijetuar duke "rrezatuar vlera" dhe jo duke vegjetuar apo huazuar fjal e ku di un cfar. Prej ketej vjen edhe shprheja UNIKE "shqiptari per nje NDER rron" ndaj te dhenurit nder apo nderim eshte dhe mbetet elemnti me themel beres i Etnitetit ton i cili ka pasur se cfar te ruaj e te nderoj. E dashur po Ju referove Cabejt, i thuaj te nderurit do te mbetesh tek ata qe e kan "cbere me dashuri vlerat unikale te ketij kombi". Ndaj kujdes referencat ( e gjith kjo ishte per Cabejn qe fjalet e shqipes mbi 80% i ke akerkuar neper mehallat e botes ). Te permendim me kete rast edhe neve ketu mir na ben, se me Cabejn e dashur dhe me emrin e tij, krejt te pa vler "jo krejt "antivler" ju eshte ber nje dem shum i madh te gjith studjuesve shqiptar.
Po kryesorja i eshte bere gjuhes shqipe, duke e adresuar ne origjin sa tek sllavet e sa te gjermanet, a thua se gjith cobanet e shqiperis kan bredhur neper bot te mbledhin fjal atje ketu e ti sjellin ketyre maleve qe ti perdorin shqipatret-keshtu e ka katandisur ai shqipen dhe "Etimologimine fjaleve".
Gjithsei tashme me teorine re te Petro Zhejit (interviste me te cilin ne menyre ekskluzive ta mundesoj besoj un, pikerisht per studjuesit e Italis- intervist qe mund te zhvillohet edhe italisht lehtesisht me profesor Zhejin) Algoritmin Simbolik, ku ngrihet per her te pare mbi nje baz te re shkencore, shkenca e Etimologjis" pra kemi te bejm me nje Etimologji te Re, qe shpjegon origjinen e çdo fjale e jo vetem te shqipes, por edhe te gjuheve te tjera, pra me kete shkenc te re te cilen ne saj te disa Universiteve Private Shqiptare do te behet anoncimi ne nje Kofernece Nderkombetare ne Tiran ne muajin tetor (2011). Pra me kete teori te re tashme te njohur ne shum rrethe shkencore , problemi i origjines gjuhesore por edhe kultrore merr nje rrjedh krejt te re. Ne shqiptaret kemi shum per te then dhe per te dhen ne kete Epoke te Re te Dijes, saj te pareve tan qe i rujten ne saj te ligjit "Shqiptaret per Nje Nder Rrojn" prej nga dhe vjen fjala (Falem Nderit tend apo te Fal nderim) Keshtu e dashur dhe te falenderoj per te gjith ket pun aktive dhe dinjitoze qe ben asaj Italie.