sabato 24 settembre 2011

A d a m - Tregim nga Brunilda Ternova

 (Tregimi është publikuar në nr. e dytë të revistës letrare "Jeta e Re" - Kosovë, 2010)

Adam është një djalë me prejardhje të paqartë etnike i cili jeton në një Qytezë të vogël në veri-lindje të vendit. Nëna e tij, hebree por italiane me nënshtetësi, shpesh pyeste veten se me cilin oficer nazist gjerman e kishte ngjizur atë ditë pranvere të 1945, kur ajo ishte veçse një 14 vjeçare. Ishte muaji Prill dhe ushtria naziste po tërhiqej e humbur nga territoret e pushtuara. Ajo i vuri djalit emrin e burrit të saj hebre italian, Adam, i cili pasi u martua me të - edhe pse ajo ishte shtatëzëne me një tjetër - vdiq nga infrakti pas shtatë vjetësh martesë. Adam emri e Levi mbiemri.  


Adam e kishte zakon të lexonte libra historie në kohën e tij të lirë dhe nuk i përkushtohej shumë gjërave të tjera, përveç shkollës. Një ditë djali, që sapo kishte mbushur 12 vjeç, po shihte veten në pasqyrën e madhe të korridorit të shtëpisë, korniza e të cilës ishte punuar me dru të praruar dhe me një shije të hollë të stilit hebre. Pa ata sytë e tij blu, flokët e tij bjond, duart e tij të mëdha e të forta dhe shtatin e tij, tashmë gati burrëror. “Hej dreq” tha me vete “dukem si njëri prej atyre gjermanëve ...” dhe mori nga albumi që kish krijuar një fotografi të prerë nga një gazetë, ashtu si zakonisht ruheshin figurinat e lojtarëve të futbollit. Pa në fotografi një ekzemplar të bukur të një oficeri me uniformë dhe armë në dorë. Një pamje familjare ajo të cilën ai e kishte parë gjithmonë në pasqyrë.

Lutjet që i kishte bërë të jëmës për ti blerë një pushkë lodër, një granatë dhe një uniform nuk ranë plotësisht në vesh të shurdhër: pushkën dhe granatën ia dhuruan ditën e onomastikës së tij, ndërsa për uniformën iu desh ta siguronte vet në pazarin e rrobave të përdorura duke i bëre aty-këtu ndonjë modifikim. Kështuqë atë vit në ditën e karnevaleve, Adami - i vetëkënaqur nga zgjedhja e tij gjeniale - bëri paraqitjen e tij në qytezën e vogël i veshur si oficier nazist e i mbuluar gjithandej me dekorata dhe svastika. Të gjith ngelën të habitur e të tronditur e me shpejtësi krijuan përreth tij një lloj zbrazëtie të tipit “Largohuni, po mbërrin oficeri nazist!”. Adam, gjithmon edhe më krenar dhe me gjoksin përpara, parakalonte i lirshëm përmes turrmës duke ngritur herë pas here krahun e djathtë drejt qiellit e duke bërtitur me kujë “Aiii Ittleer”. Kishte besuar gjithmonë se ajo nuk ishte një përshëndetje, por ishte më tepër një reagim i ushtarëve ndaj dhimbjeve të shkopinjëve të marra nga kapot e tyre, ashtu si reagonte edhe nëna e tij nën fshikullimat e thuprës së të jatit të tij adoptiv, përpara se ky i fundit të vdiste.
Turrma kishte ngrirë dhe ishte zhytur në një heshtje të çuditëshme e të panatyrshme që po trasformohej në një heshtje ankthi. Ishte ditë karnavalesh, por të gjithë e kishin harruar tashmë. Ishte një ditë e ngrohtë dhe e bukur me diell, gjë e rrallë për atë qytet verior gjithmon i mbuluar nga retë gri, por askush nga ata që ishin prezent aty në ato momente nuk donte t’ja dinte për atë mrekulli. Fëmija nuk e vuri re këtë gjëndje të nderë por vazhdoi të ecte drejt derisa mbaroi paradën e tij ushtarake, madje i kërkoi grupit muzikor të qytetit që ti binte “Himnit të Gëzimit” të Beethoven-it. Grupi i muzikantëve, edhe pse të shastisur nga pamja e tij, për të thyer heshtjen e sikletëshme të krijuar nga ajo situatë interpertuan Himnin e Beethoven-it në mënyrë sa mekanike aq edhe madhështore.
Fëmija mbërriti në sheshin e vogël të qytetit dhe pa se edhe kryetari i bashkisë ndërpreu fjalimin e tij të cilin po e mbante para një grushti njerzish të budadallepsur ca nga fjalimi e ca nga ai. Atëherë fëmija, duke menduar se kishte qëlluar në shenjë me veshjen e tij karnevaleske, i dedikoi edhe kryetarit të bashkisë një “Aiii Ittleer” kumbuese e të forte duke shtrirë krahun përpara e duke e parë me krenari. Bashkiaku duke zgurdulluar sytë e duke parë herë fëmijën e herë grupin e budadallepsur përpara tij, përsëriti dobët dhe në mënyrë retorike “Aiii Ittleer??”.
Eksponentët lokalë dhe figurat fetare që ndodheshin në podium filluan të gumëzhijnë si mizat me njëri-tjetrin. “Ç’po ndodh? Ç’është kjo? Ndonjë sabotim? Kush është ky spurdhiak xhanëm? Kush e solli këtu? Kush e ka paguar, pse e ka paguar…... bëzzzz”. Ndërkohë që prifti i kishës së Shën Mërisë po bënte shenjën e kryqit e hoxha musluman po i lutej zotit të tij, rabini hebre zbriti nga podiumi e duke i urdhëruar bandës muzikore të heshte, mbërtheu krahun e djathtë të femijës duke e tërhequr zvarrë e me force drejt famullisë; fëmija i ndodhur papritmas në një darë të forte e të dhunëshme nuk kuptonte përsenë e asaj që po ndodhte dhe nisi edhe ai të ndihej pak në ankth.

Rabini hyri në sinagogë, hoqi veshjen e tij priftërore - poshtë të cilave kishte të veshur ato të zakonshmet që vishte çdo qytetar laik - hoqi rripin e pantallonave dhe nisi ta qëllonte fëmijën pa mëshirë. Fëmija gjatë goditjeve ulërinte “Aiii Ittleer” dhe nuk kuptonte pse ajo torture fizike po zgjaste kaq shumë e kaq gjatë e po bëhej gjithmon e më e dhunëshme se në fillim. Pas tridhjet e ca fshikullimash mbi kurrizin e përgjakur të fëmijës, rabini duke gulçuar nga lodhja, i djersitur e i kuq nga zemërimi u ndal për të marrë frymë duke u ulur në shkallën e katedrës së mermertë të sinagogës.
Disa hapa të çrregullt e të zhurmëshëm lajmëruan ardhjen e dikujt: ishte nëna.
E shqetësuar dhe e tronditur filloi të qante me dëshpërim kur pa shpinën e fëmijës së saj të masakruar që kullonte gjak. Ndërkohë që merrte në krahë djalin e saj pa ndienja, rabini i ulur në shkallët e altarit filloi ti bërtas kundër se do ta denonconte atë dhe këlyshin e saj bastard që e kish detyruar të fyente zotin duke ushtruar dhunë në shtëpinë e tij.

Të nesërmen të gjitha gazetat lokale dhe kombëtare shkruanin me gërma të mëdha për skandalin: “Fëmijë nazist, skandal në Qytezë”, “Paradë shokuese, Qyteza ngihet në protesta”, “Fëmija i veshur si Hitleri në Qytezë”, “Eksponentë fetarë e politikanë deklarojnë: "Prindërit duhen dënuar!", etj, etj, etj. E kështu ndodhi që e jëma, ajo grua delikate dhe e ndjeshme, jo vetëm që u gjobit rëndë por në gjyq u dënua me dy vjet brug. Kujdestaria e fëmjës i’u besua një instituti psikiatrik për femijët problematik dhe me sëmundje mendore. Nga ai institut Adam doli pas 8 vjetësh, i veshur kësaj radhe kokë e këmbë me uniformën e bardhë të pacientit të sëmurë mendorë. Nëna e tij, e sëmurë fizikisht dhe e shkatërruar shpirtërisht, kishte ardhur për ta marrë me taksi e për ta çuar në shtëpi.
Adam nuk u martua kurrë dhe nuk u fejua kurrë me asnjë vajzë. Nuk e njohu kurrë dashurinë. Nuk punoi kurrë e nuk lexoi kurrë më libra as historie e as të ndonjë lloji tjetër. Nuk dilte shpesh nga shtëpia dhe nuk kishte miq. Thjesht pikturonte muret e brendëshme e të jashtëme të shtëpisë me paizazhe kopshtesh të harlisur e pemësh të begatëshme. Në disa nga këto afreske pikturoi edhe vet-veten, lakuriq, ndërkohë që mundohej të këpuste nga pema një mollë të kuqe. Pranë vetes pikturoi edhe nënën e tij, edhe ajo e potretizuar lakuriq me duart në kokë duke shkulur flokët e duke ulërirë.

Nessun commento:

Posta un commento