venerdì 17 febbraio 2012

Skënderbeu, Mbreti Luftëtar i Shqipërisë



nga Brunilda Ternova
“Fati i një njeriu u trasformua në një betejë epike për lirinë e kombeve, lavdia ka një çmim të tmerrshëm.
Filmi dokumentar “Skënderbeu - Mbreti Luftëtar i Shqipërisë(eng. Scanderbeg -Warrior King of Albania ) rindërton portretin e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, bazuar kryesisht në veprën Historia de vita et gestis Skanderbegi, epirotarvm principisshkruar rreth 1508 dhe 1510 nga murgu shqiptar Marin Barleti.
Për të rikujtuar historinë e asaj epoke, janë përfshirë një sërë materialesh dhe intervistash me një panel ekspertësh dhe historianësh shqiptarë e të huaj të mesjetës së vonë. Shkruar nga Nua Gjelaj dhe me regji të Nick Gjonaj, premiera e filmit dokumentar u shfaq në Nju Jork më 11 shkurt 2007.  Të dy u takuan rastësisht në vitin 2002, në sajë të një pikture mbi Skënderbeun, realizuar dhe të vënë në shitje nga Gjelaj e cila u ble më pas nga Gjonaj. Pas disa takimeve me ç’rast biseduan mbi interesat e tyre kulturore të përbashkëta dhe mbi admirimin personal që kishin për figurën e Skënderbeut, u angazhuan për pesë vjet rresht në prodhimin e këtij dokumentari.

Bashkë-prodhuesit e dokumentarit
Projekti fillimisht kishte nisur si një nismë personale e Gjelaj dhe Gjonaj që bashkarisht vendosën të themelonin “Illyria Entertainment Groupme qëllim promovimin e kulturës shqiptare. Pas një periudhe kohe, për shkak të mungesës së fondeve, i’u drejtuan për ndihme shoqatave shqiptare në Shtetet e Bashkuara të cilat fatkeqsisht ose nuk ishin të gatshme për ti mbështetur ose nuk kishin mjetet financiare për ti ndihmuar. Por këmbngulja u tregua e dobishme. Shumë qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare të cilët dëshironin realizimin e projektit të tyre, i kontaktuan me e-mail për ti  ndihmuar financiarisht. Gjatë kësaj periudhe, hyn në skenë edhe producentja ekzekutive e dokumentarit Tringa Gojcaj, agjente e pasurive të paluajtshme, e cila u siguroi mbështetjen financiare që i dha projektit një shtyse të madhe përpara. Kur u takova me Nikun dhe Nuan, pashë se dy të rinjtë kishin përfunduar në një qorrsokak për një projekt të cilin e kishin shumë përzëmër. Ne nuk i’u futëm këtij projekti për tu pasuruar, por jemi vërtetë të bindur se kjo histori është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe duhet të tregohet për tu njohur” – tregon Gojcaj mbi takimin e saj me dy prodhuesit.
 Janë rrënjët në bazë të projektit të tyre. Regjizori Nik Gjonaj, pasardhës i një familje emigrantësh shqiptarë në Detroit, i dashuruar me kinematografinë dhe me trashëgiminë kulturore shqiptare, prej kohësh deshironte të realizonte një film për Skënderbeun. Gjergj Kastrioti është Shqipëria dhe Shqipëria është Gjergj Kastrioti. Ai është thelbi i asaj që shqiptarët duan: lirinë dhe nderin. Ishim shumë të interesuar të kapnim elementët mitologjikë dhe njerzorë të këtij njeriu legjendar. E njohim si një ushtar të madh, por gjithashtu donim të shihim edhe aspekte të tjera të jetës së tij, për të patur një portret të plotë të mitit dhe të legjendës.” - tregon Gjonaj në lidhje me dokumentarin.
 Ndërsa Nua Gjelaj zbulon mesazhin themelor të dokumentarit të tyre: Ideja e betejës së humbur kundër një fuqie shtypëse tregon se njerëzit janë të prirur për t'i bërë ballë, sepse është më mirë të kesh një qeveri tënden të keqe sesa një pushtues të huaj të mirë. Dhe kjo është pikërisht mesazhi që mishëron idenë e filmit, pra, që askush nuk mund të imponojë bindjet e tij se si të tjerët duhet të jetojnë. Historia nuk mund të rishkruhet, por të paktën mund të mësojmë nga ajo.”

Gjelaj, është një emigrant i brezit të parë. I lindur në ish-Jugosllavi emigron në SHBA në vitin 1972, si fillim në New York e më pas në Michigan ku aktualisht banon. I diplomuar në Wayne State University po aty përfundon masterin në Histori për periudhën e mesjetës se hershme të Evropës Lindore. Skenarist dhe drejtor artistik i dokumentarit, ishte ai që u dokumentua në arkivat historike duke hulumtuar dokumentet shqiptarë dhe të huaja mbi heroin për të përpiluar skenarin. Së bashku me Katerina Boçin, ishte përgjegjës për hartimin dhe përgatitjen e kostume, helmetave, shpatave, veshjeve dhe sjelljen e karaktereve - një tjetër sfidë e vështirë per tu perballuar.
 Bashkë-prodhuesit duan në të ardhmen ta transformojnë dokumentarin në një film me metrazh të gjatë. Qëllimi i tyre është që të nënshkruajnë një kontratë me një shtëpi të madhe prodhuese kinematografike hollywood-iane për realizimin e filmit. Ndërkohë, janë duke punuar në një projekt të ri: dokumentarin “Illyria” i cili do të merret në mënyrë të veçantë me kulturën dhe historinë ilire nga një perspektivë e re. Ky projekt ka për qëllim që të jetë një dokumentacion i rëndësishem i  kontributit të Ilireve në qytetërimin europjan dhe përëndimorë, përpara rënies së Greqisë së lashtë dhe lindjes së Romës.

Çmimet e marra
Të dyja çmimet prestigjioze të fituara nga “Illyria Entertainment Groupnë seksionin e dokumentarëve në dy gara ndërkombëtare, në mesin e mijërave të tjerë, kanë bërë që të dy prodhuesit të shijojnë frytet e punës së tyre. Vepra është vlerësuar si dokumentari më i mirë historik dhe biografik “The Telly Awards”, duke fituar Çmimin e Argjëntë ndër 18.000 realizimet e tjera; ndërsa në “International Davery Award” fitoi Çmimin e Artë, ndër 15.000 realizime.
Është një film dokumentar që në mënyrë modeste është përpjekur të plotësoje boshllëkun e krijuar në filmografinë shqiptare për figurën e heroit tonë kombëtar, duke ringjallur historinë e popullit shqiptar. Kujtojmë këtu se filmi i parë dhe i vetëm i realizuar mbi figurën e tij kolosale është ai me titull “Luftëtari i Madh Skënderbej” (ang. The Great Warrior Skanderbeg) i vitit 1953 në bashkëpunim me regjizorin sovjetik Sergei Yutkevich , i nderuar edhe në Festivalin e Kanës.

Aktoret dhe paneli i historianëve
Për personazhet e dokumentarit, Gjonaj dhe Gjelaj, kanë zgjedhur një ekip aktorësh të rinj e të talentuar. Anton Gojcaj interpreton rolin e Skënderbeut, Iliriana Sinishtaj atë të bashkëshortes Donika Kastriotit dhe në rolin e murgut shqiptar Marin Barleti eshte Zef Lulgjuraj. Interpretojnë gjithashtu në rolet e tjera dytësore Tom Ivanaj, Mirash Gjelaj, Mario Malotaj, Gjergj Micakaj, Luke Micakaj etj. Xhirimet janë bërë në Michigan, Londër, Vjenë, Shqipëri, Kosovë  dhe Romë.
Ngjarjet historike të periudhës dhe figura e Skënderbeut janë rindërtuar me ndihmën e një paneli historianësh shqiptarë dhe të huaj si Dr David Nicolle - Nottingham University, Dr Musa Ahmeti Studjes në Arkivat Segrete të Vatikanit, Kenneth Walters - Wayne State University, Jahja Drancolli - Profesor i Historisë në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, Dr Isa Blumi - New York University, Prof Kristo Frashëri - Profesor i Historisë në Universitetin e Tiranës, Oliver Schmitt - Universiteti i Vjenës, David Abulafia - Profesor i Historisë së Mesdheut në Universitetin e Kembrixhit.

Analize e shkurtër ilustruese
Forcimi i feudalëve dhe i princave shqiptarë, si rezultat i një proçesi të gjatë dhe të dhimbshëm zhvillimi politiko-social dhe ekonomiko-kulturor që filloi në shekullin e IX –të A.D., solli formimin e principatave feudale në rajone të ndryshme etnike shqiptare. Pozita gjeografike e Shqipërisë, e gjendur midis lindjes bizantine dhe perëndimit katolik, i kishte ndarë shqiptarët kryesisht në dy besime fetare: në veri katoliket dhe në jug të krishterët ortodoksë. Përveç kësaj ndarjeje, për më tepër, feudalët shqiptarë luftonin edhe kundër njëri-tjetrit për të zgjeruar territoret e sundimeve të tyre në kurriz të principatave të tjera më të dobëta.
Situata e principatave shqiptare komplikohet më tej nga ndërhyrjet e Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut - do të rezultojnë shkatërruese për fatin e tyre. Midis qytetërimeve në konflikt Lindjes dhe të Perëndimit, fillon të përvijohet në horizontin oriental plani i një perandorie universale islamike. Pa mëshirë Perandoria Osmane do të gllabërojë popuj dhe kombe, duke zgjeruar ndërmjet 1300 dhe 1481 A.D., pushtimet e saja nëpërmjet luftrave, aleancave dhe dyndjeve. Kjo edhe në sajë të kolapsit dhe degradimit të sistemit kulturor dhe ushtarak të Perandorisë Bizantine e kishte humbur tashmë ndikimin e dikurshëm.
Një nga figurat e mëdha që dalloheshin ndër princat e fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, ishte Gjon Kastrioti - Princi i Krujës dhe i Matit -, të cilit në 1423 A.D. osmanët do ti marrin peng katër fëmijët. Midis tyre edhe Gjergj Kastrioti Skenderbeun i lindur në 1405 A.D. I grabitur forcërisht nga gjiri i familjes dhe nga atdheu i tij, princi i ri u dërgua në pallatin e Sulltanit ku do te bëhet një ndër mjeshtërit komandantë më të shkëlqyer të kohës së tij. I zhveshur nga emri i tij shqiptar dhe i detyruar të pranojë fene islamike, sulltan Murati II do ti japë Gjergj Kastriotit titullin “Skënderbeu” për nder të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (Emathia), si një tregues i qartë i marrëdhënieve të lashta etno-gjuhësore që lidhte keto dy figura. Emri “Iscander” në gjuhën turke do të thotë  “Aleksandër” dhe  “Bej” do të thotë “Princ”.
Historianët e lashtë na kanë lënë dokumente që dëshmojnë se Aleksandri i Madh ishte i biri i mbretit të Maqedonisë Filipit II-të dhe Olimpias, një princeshë ilire Epiriote e bija e mbretit ilir Neoptoleme I. Si dëshmi të kësaj lidhje të lashte sjellim një ekstrakt domethënës nga korrespondenca e zhvilluar midis Skënderbeut dhe Princit të Tarantos, nga libri “Turqit dhe Historia e Skënderbeute shkrimtarit francez Pagnel, të shekullit të XV-të A.D.:
“... Për më tepër, ju ofenduat popullin tonë dhe e krahasuat me “dele Shqiptare” dhe sipas zakonit tuaj mendoni për ne me terma fyes. Siç e treguat dhe vetë me dijet tuaja të mangëta, ju nuk keni ndonjë njohuri mbi racën time. Të paret e mi ishin nga Epiri, nga ku lindi Pirro, forca e të cilit nuk mundi të mposhtej nga përpjekjet e Romakëve. Ky Pirro, të cilin Taranto dhe shumë vende të tjera të Italisë e mbështetën me ushtri. Unë nuk kam nevojë të flasë për Epirotët. Ata janë burra shumë herë më të fortë se tarantinët tuaj, një lloj specie burrash të lagësht që kanë lindur vetëm për peshkim. Nëse ju doni të thoni se Shqipëria është pjesë e Maqedonisë, unë mund të pohojë se shumë nga paraardhësit tanë ishin fisnik që shkuan larg deri në Indi nën komandën e Aleksandrit të Madh duke i mundur të gjithë ata popuj. Nga ata burra rrjedhin këta që ju keni quajtur dele. Por natyra e gjërave nuk ka ndryshuar: Përse burrat tuaj ikin nga sytë këmbët përpara këtyre ‘deleve’?... “

Për të mos folur për përkrenaren që mban simbolin pellazgjik të dhisë Amalthea, sipas mitit ka  ushqyer me qumësht Zeusin fëmijë, si dhe për inicialet * IN * PE * RA * TO * RE * BT  * (Jhezus Nazarenus * Principi Emathie * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te), që do të thotë Jezusi i Nazaretit bekon Princin e Emathis, Mbret të Shqipërisë, Terrorr i Osmanëve, Mbret i Epirit”. Është e rëndësishme për tu kuptuar se në mesjetë përkatësia etnike “maqedonas” dhe “epiriotëishte sinonim me atëshqiptarë” sipas dijetarëve.
Në fjalën e tij dokumentar, Prof Jahja Drancolli, thekson faktin se Skënderbeu ishte marrë peng në një moshë të rritur, kur identiteti dhe personaliteti i tij ishin tashmë të formuar mirë, duke nënvizuar se ishin aftësitë e tij strategjiko-ushtarake që u kopjuan më pas nga sistemi ushtarak i Perandorisë dhe jo e kundërta. Ky aspekt del në pah që në fillim të dokumentarit nga Prof David Nicolle i cili shprehet se osmanët kopjuar shumë gjëra nga vendet e pushtuara duke përfshirë edhe veshjet, traditat, kulturën, etj., si edhe strategjitë ushtarake të luftës.
Kjo është një nga arsyet pse makina më e fuqishme politike dhe ushtarake e asaj kohe nuk ishte në gjendje të mposhte shqiptarët, as me forcë, as me sasinë e trupave të dërguara, as me taktikat ushtarake e as me teknologji apo me para. Jo vetëm kaq, por gjatë atyre 25 viteve të rezistencës së armatosur shqiptare, Perandoria Osmane u mposht në mënyrë vendimtare dhe të vazhdueshme, duke treguar se cilësitë intelektuale, politike, ushtarake e sidomos morale dhe civile të shqiptarëve ishin superiore në çdo aspekt në krahasim me përgatitjen standarte të Perandorisë Osmane.

Shoqëria shqiptare në shekullin e XV –të A.D., tashmë zotëronte cilësinë kryesore të një komuniteti për të ndërtuar një Komb dhe një Shtet: vetëdijen se kush ishin, njohjen e rrënjëve të tyre të lashta iliro-pellazgjike dhe si rrjedhojë lidhjen me të kaluarën e tyre. E gjithë kjo ishte rezultat i një proçesi të gjatë që kishte nisur para krijimit të Principatës së Arbërit në shekullin e XIII –të. Në këtë kontekst, synimet e Skënderbeut nuk ishin vetëm ato të krijimit të një Shteti shqiptar në periferi të Perandorisë Osmane, por të shkatërrimit të perandorisë për të formuar Mbretërinë Shqipëtare në Ballkanin Perëndimor, për të ringjallur në këtë mënyre ditët e lavdishme të Pirros - mbret i Epirit, dhe të Justinianit – perandor i Bizantit, pasardhës i të cilëve ishte në kuptimin e plotë të fjalës.

Skënderbeu krijoi Lidhjen e parë Kombëtare Shqiptare 1444 A.D. në Lezhë, me qëllim bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare në një Shtet kombëtar të vetëm, bazuar në trashëgiminë kombëtare etno-gjuhësore që i bashkonte, ndryshe nga vëndet e tjera të Ballkanit shekuj më vonë gjatë krijimit të shteteve të tyre u bazuar në përkatësinë fetare. Ashtu si e specifikon me të drejtë edhe profesor Kristo Frashëri, shtylla kryesore ku bazohet e gjithë rezistenca shqiptare ishte fakti i padiskutueshëm se shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ishin një Komb i mirë-formuar e shumë kohë para mbërritjes së osmanëve në Ballkan. Përndryshe nuk do të kishim qënë në gjendje të përballonim pushtimin osman dhe të pengonim për një kohë të gjatë asimilimin.
Rezistenca e Skënderbeut kishte rezonancë të madhe në Perëndim, atje ku aspironin një hero të madh triumfues në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë Osmane. Dhe në fakt, dokumentet e arkivave, gjykimet e bashkëkohësve të tij si Papët e Romës apo familjet mbretërore me të cilët Skënderbeu kishte nënshkruar aleanca, Iluminizmi dhe Humanizmi Europian, historiografia, etj., lënë të kuptosh se ai ishte një nga figurat më të rëndësishme në Evropën Jug-Lindore të kohës së tij.

Ёshtë me rëndësi të madhe për tu kuptuar se shqiptarët me rezistencën e tyre kundër Perandorisë Osmane sakrifikuan vendin e tyre për të shpëtuar qytetërimin perëndimor nga pushtimi turk; shpëtuan po atë qytetërim perëndimor që i braktisi në fatin e tyre tragjik për 400 vjet. Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishte me siguri një njeri, por historia qe na ka lënë dhe kemi trasheguar nuk e bëjnë një njeri të thjeshtë e të zakonshëm, por një legjendë të gjallë që do jetojë ndër shekuj. Ai ishte modeli dhe simboli i një kauze të drejtë: liria kundër skllavërisë, arsyeja dhe rregulli politik kundër shtypjes, vlera këto të përvetësuara më pas nga filozofia Iluministe.
Kontributi i tij nuk humbi e nuk vdiq bashkë me të, përkundrazi, u bë burimi kryesor i Rilindjes Shqiptare dhe i përpjekjes sublime për pavarësi. Ai ishte dhe mbetet thelbi i identitetit kombëtar, i trashegimise shpirtërore dhe i vetëdijes bashkëkohore të çdo shqiptari.