sabato 29 luglio 2017

Bëhu Fresh!

Bëhu Fresh!
[publikuar në: Nutrika Nr 2, Tiranë, shkurt 2017, f. 1-2.]
Nëse do të duhej të të jepja këshilla, si më i vogël që je, do të të jepja vetëm një: anëtarësohu në FRESSH!
Anëtarësimi është gjëja më e lehtë, të mjafton të mendosh ndryshe, si gjithë të tjerët, të duhen dhe ca këmisha e buzëqeshje të duhura, sidomos këto të fundit; si çdo aspirant kandidat duhet të dish, dhe sigurisht që di, se buzët e varura nuk dalin mirë në televizor, madje më keq, japin përshtypjen që po mendon se gjërat nuk shkojnë mirë. Nëse do të shfaqesh se mendon, por gjëra të thella e jo shqetësuese, atëherë thjesht të duhen një palë syze, nga ato të mëdhatë, janë në modë tani, kuptohet pa numër, qetësuese i quajnë, dhe menjëherë të gjithë kuptojnë që ti kalon orë e orë të tëra përpara kompjuterit duke studiuar.
Dhe karriera nuk është e vështirë, mund të arrish të bëhesh kryetar. Për këtë të duhet pak impenjim, të kuptohemi, për hir të zotit asgjë e vështirë – me që ra fjala, tani të kuqtë i kanë mirë punët me zotin, pagëzohen, pagëzojnë, martohen në kishë, bëjnë syneti; është mirë, kupton, mbaje mend. Duhet të mësosh vetëm pak folklor komunist; gjëra interneti, nja dy këngë të De Gregorit apo Manu Çaos (thjesht titujt, ë!, se asnjë s’ka pse ngarkohet shumë), të duhen dhe nja dy citime të Çe Gevarës ose të Gramshit; edhe këtu nuk ka nevojë të ngarkohesh, ca meme fejsbuku dhe je në rregull. Kuptohet, duhet të dish ndarjen e së mirës nga e keqja; këtu të ndihmoj unë: “Çe Gevara ishte një i ri idealist, i pëlqente motori, udhëtimet dhe liria”, kaq mo!
Se për pak harrova, që të bëhesh udhëheqës, duhet të dalësh përpara një jurie. Skemën e ke të qartë: katër veta, një skenë, një mikrofon, një pulsant... dhe ti vlen. Është e qartë, përpara jurisë duhet të flasësh, mos u shqetëso, sa më shumë skema boshe të ngresh dhe fjalë të huaja të përdorësh aq më mirë është, shiko po ngece mos e vra mendjen, fol sa shtypëse, e prapambetur dhe patriakale është shoqëria shqiptare dhe je në rregull. Ki parasysh që nuk kanë rëndësi realiteti apo realizueshmëria e gjërave që thua – po ti! – etërit themelues morën në qafë gjysmën e botës me kopaçet që këpusnin; ti në një konkurs bukurie je. E di, do më thuash që je i turpshëm; edhe!, jetojmë në kohë relative, jetojmë në kohë ku defekti dhe padija janë virtyt. Kije parasysh, kjo është pika jote e fortë, pasi ti ke mendimin tënd.
Nëse kjo skemë të duket e vështirë, mendo për kohët e vjetra, kur duhet të takoheshe dhe bindje qindra njerëz, të flisje përpara njëmijë të tjerëve që të kundërshtonin, kur ndonjëherë ngrihej, si i thonë sot, edhe zëri, kur duhet të shkruaje në gazetë, kur duhet të organizoje, ngrije struktura... jo or bos jo, je me fat, shoqëria e sotme nuk ju ngarkon.
Do më thuash: gjithë kjo puna sikur bie pak erë?! Edhe! Boll tani me teori konspirative. Pastaj, dëgjo, anëtarësinë nuk ta heq njeri, e aq më pak ekskursionet, edhe jashtë shtetit ë! E di ti, me autobus e gjëra. Pastaj ke kampet verore, e ke vetë parasysh, i ke sheshit: bar, gjoks e bythë; tani kjo e fundit sikur është më në modë, por ta thash jetojmë në kohëra relative e ti ke lirinë tënde.
Edhe në shkollë, mësuesit e pedagogët do të shohin me sy tjetër. Je rinia aktive, je i impenjuar, je shpresa, ke kuptuar botën dhe në fund të fundit je i yni, e për këtë nuk ka nevojë të të ngarkojnë shumë.
Nuk duhet të harrosh, madje duhet ta kujtosh çdo ditë, që më të mirat vinë me kohën. Anëtari njeh, njihet, takon, mëson dhe kështu përgatitet për vendin e punës. Nuk do rri tani të të shpjegoj si futesh në punë, e ke vetë të qartë, ndonjëherë qëllon që të shkosh në shkollë për letërsi e përfundon ekonomist, por mos harro që nuk duhet të rrimë skllevër të skemave të vjetërsuara.
Tani, për të thënë të vërtetën, këto gjëra nuk janë falas, nuk janë pa kosto. Duhet të shkosh në takime, të duartrokasësh (kemi breza të tërë duartrokitësish e ç’i ka gjetur?! Asgjë, shëndosh janë), të bësh fotografi fesjbuku, të mësosh artin e bindjes, të lajkut, sherit, rituitit, të mbysësh kritikën dhe të buzëqeshësh, të buzëqeshësh shumë pasi ti mundesh. Si e sheh, pa u ngarkuar, asgjë pa të cilën nuk ecet përpara.
E di, je i ri e mund të të vijë ndonjë gjë e çuditshme ndër mend, diçka e tipit, një ditë do të dorëzosh fëmijën tënd në të njëjtën gjendje, në të njëjtin ambient, në të njëjtën arrati nga përgjegjësitë; broçkulla idealiste!. Në fund të fundit, kur të të vijë vakti kjo puna e fëmijëve do ketë dalë fare nga moda – shokët kanë kohë që përpiqen – ose të paktën do jetë një lëmsh i atillë që as do e dish i kujt është fëmija yt e as e kujt do jetë gruaja jote – por ama një grua që kursen një milionë dollarë – shef ti ça bëhet, prandaj mos e vra. mendjen për këto gjëra.
Të them dhe të fundit fare: nuk do fresh, bëhu lërëi, ose libra – e, me këta bëhesh kryetar partie po deshe; ose ose, mund të luash dhe lojëra revolucionarësh, për pak kohë, kuptohet, por po më dëgjove bëhu fresh, buzëqesh dhe e ardhmja do të jetë e ndritur.

Nessun commento:

Posta un commento